Ndërlidhjet

Tusk: Maqedonia nuk do të lihet e vetme në përballjen me migrantët


Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov takohet me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, në Shkup, më 2 mars 2016
Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov takohet me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, në Shkup, më 2 mars 2016

Përpjekjet e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizën së refugjatëve ka qenë tema kryesore e takimit në Shkup, mes kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe kryetarit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, i cili ka premtuar ndihmën e BE-së për Maqedoninë, në përballjen me fuksin e migrantëve.

Pas takimit nuk janë dhënë prononcime për mediet, por, sipas një njoftimi të presidencës maqedonase, Ivanov dhe Tusk kanë biseduar për kapacitetet e Maqedonisë për pranimin e migrantëve, ndihmat e nevojshme për trajtimin e tyre, por edhe për përpjekjet që po bëhen për ndërtimin e një konsensusi për menaxhimin e krizës, në kuadër të samitin me Turqinë, më 7 mars në Bruksel.

Mesazhin për Maqedoninë, kryetari i Këshillit të Bashkimit Evropian e ka dhënë në Zagreb, para nisjes për në Shkup.

“Do të doja ta shfrytëzoja rastin dhe të them se Bashkimi Evropian e kupton gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen autoritetet në Shkup. Nuk mundemi dhe nuk guxojmë që t’i lëmë vet në këtë situatë të rëndë. Nuk ka alternativë më të mirë përveç se bashkëpunimit me Turqinë, përmes së cilës vijnë numri më i madh i migrantëve”, ka deklaruar Tusk.

Ndryshe, gjendja në pjesën jugore të kufirit me Greqinë duket më e qetë, në krahasim me ditët e kaluara kur u regjistruan trazira, në përpjekjet e migrantëve për të depërtuar me forcë në Maqedoni.

Autoritetet kanë rihapur kufijtë për kalimin e migrantëve, por në numër më të redektuar dhe me përcjellje të fortë të njësive policore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka përsëritur qëndrimin se Maqedonia ka kapacitete për të lejuar deri në 500 migrantë të kalojnë në ditë nëpër territorin e saj. Por, sipas tij, gjithçka varet nga vendimi i vendeve të BE-së mbi kapacitetet e tyre, por edhe ndihmën që do të ofrojnë ato për kalimet transit.

“Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme që të ketë një vendim të qartë dhe të saktë nga shtetet anëtare të BE-së, se sa migrantë në ditë mund të pranohen nga ana e tyre, që edhe ne të mund ta zbusim presionin që po bëhet në kufirin jugor të vendit“, ka deklaruar Spasovski, gjatë vizitës që i bëri kufirit jugor, i shoqëruar nga homologu i tij sllovak, Robert Fico, i cili ka vizituar kontingjetin e policëve nga Sllovakia, që patrullojnë së bashku me policët edhe nga disa vende tjera.

Ekspertët, nga ana tjetër, nuk e përjashtojnë mundësinë e tensioneve të reja, nëse nuk ndërmerren masa urgjente për stabilizimin e gjendjes.

Profesori i çështjeve të sigurisë, Tërpe Stojanovski thotë se nëse numri i migrantëve vazhdon të rritet në zonën neutrale, gjasat janë reale që të ketë përpjekje të reja për të depërtuar me dhunë në Maqedoni.

“Ajo që pamë ditëve të fundit është një shembull, apo skenar i mirë për rreziqe të reja. Nëse numri i migrantëve vazhdon të rritet, sigurisht se pamjet e para dy ditëve do të përsëriten. Bëhet fjalë për fate njerëzish, andaj edhe duhet vepruar në menaxhimin sa më të mirë të situatës”, thotë Stojanovski.

Nga ana tjetër, Armata e Maqedonisë ka vazhduar me vendosjen e gardhit nga telat me gjemba përgjatë kufirit me Greqinë, në veçanti në ato vende që vlerësohen si më kritike për kalimet ilegale.

XS
SM
MD
LG