Ndërlidhjet

Opozita shqyrton kontestimin e zgjedhjes së Thaçit president


Partitë politike opozitare janë duke analizuar aspektet juridike për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ankesë për mënyrën se si është zgjedhur Hashim Thaçi, në postin e presidentit të ri të Kosovës.

Zyrtarët e partive politike opozitare theksojnë se gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës janë vërejtur disa raste, ku sipas tyre, ka pasur shkelje të rregullave dhe Kushtetutës së Kosovës.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se Hashim Thaçi është votuar në një parlament i cili nuk i ka pasur 120 deputetë, por 119.

"Me Kushtetutën e vendit thuhet se vendi i zbrazët në Parlament duhet të plotësohet menjëherë, dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Pas dorëheqjes së deputetit Ramush Haradinaj, presidentja e vendit ka kërkuar nga KQZ, që ta çertifikojë Ali Berishën në vendin e zbrazët, me disa ditë vonesë dhe pas votimit të presidentit", ka thënë Muharrem Nitaj anëtar i kryesisë së AAK-së në një deklaratë të tij dërguar medieve.

Zëdhënësi Nitaj ka theksuar po ashtu se pushimet e pajustifikueshme ndërmjet raundit të parë, të dytë dhe të tretë të votimit, kanë krijuar një hapësirë dyshimi se janë bërë me qëllim të ndërhyrjes në vullnetin e deputetëve për të votuar, sepse ka pasur një ndryshim të madh nga rezultatet e votimit të parë me atë të votimit të tretë.

"Të gjitha këto do të duhej të ishin arsye të mjaftueshme që çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçit të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese", ka deklaruar Nitaj.

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se janë ende duke i analizuar të gjitha detajet lidhur me atë se a ka apo jo shkelje të Kushtetuës me zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit.

"Shkeljet kanë qenë evidente sa i takon mbarëvajtjes së seancës. Deputetët e opozitës janë nxjerrë dhunshëm nga salla. Një pjesë jo e vogël e deputetëve nuk kanë votuar sipas vullnetit të tyre, por nën presion dhe për këtë ka deklarata e evidenca".

"Këtë e vërteton edhe votimi i parë ku kandidati ka pasur vetëm 50 vota. Këto dhe shumë probleme të tjera që lidhen me përbërjen e Kuvendit dhe prezencën e deputetëve në sallë si dhe me çështjen e vlefshmërisë së kandidaturës po i analizojmë nëse përbëjnë bazë për Gjykatë Kushtetuese", thuhet në një përgjigje me shkrim që Vetëvendosje i ka dërguar Radios Evropa e Lirë.

Në institutin Demokratik të Kosovës, organizata e vetme joqeveritare e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës thonë se gjatë seancës kur është zgjedhur Thaçi president, nuk janë vërejtur shkelje të Kushtetutës.

"Ka pasur një kuorum prej 80 deputeteve. Dhe çka është e rëndësishme, 80 deputetë kanë marrë pjesë në votim. Ka pasur kundër-kandidat në procesin e zgjedhjes si dhe kushtet e tjera në tri raundet e votimit janë përmbushur ashtu siç parasheh Kushtetuta", tha Albert Krasniqi.

Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, i cili deri tash ka mbajtur edhe pozitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, me rastin e zgjedhjen president ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat e më hershme.

Opozita thotë se Thaçi me vonesë ka dhenë dorëheqje nga pozitat që ka mbajtur, gjë që sipas tyre ka shkelur kushtetutën.

Albert Krasniqi analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se zoti Thaçi në këtë rast nuk ka shkelur Kushtetutën pasi ende nuk është duke e ushtruar postin e presidentit dhe ende nuk ka dhenë betimin.

"Çështja e dhënjes së dorëheqjes në bazë të interpretimit tonë, duhet të behët brenda kësaj periudhe 30 ditore apo deri sa të behet betimi. Është e rëndësishme para se të bëhet betimi të ketë dhënë dorëheqje prej të gjitha pozitave", tha Krasniqi.

Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës më 26 shkurt ka zgjedhur Hashim Thaçin në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Në këtë post, Thaçi është zgjedhur në rrethin e tretë të votimit, pasi që në dy rrethet e para, ai nuk arriti të siguronte 80 votat e nevojshme.

Me t'u zgjedhur në postin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është zotuar se do të punojë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG