Ndërlidhjet

“Fundi i demokracisë” në Turqi

  • RFE /RL

Redaksia e gazetës "Zaman"

Redaksia e gazetës "Zaman"

Policia në Stamboll ka përdorur të shtunën gazin lotsjellës, topat e ujit dhe plumbat e gomës, për të shpërndarë qindra njerëz që kanë protestuar kundër marrjes së gazetës më të madhe turke, “Zaman”, nga shteti.

Policia e Turqisë ka bastisur zyrat e “Zaman”-it të premten vonë, disa orë pasi ajo është vënë nën kontroll të shtetit, me vendim të gjykatës.

“Zaman” është e afërt me lëvizjen Hizmet të klerikut me ndikim, Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.

Turqia thotë se Hizmet është grup “terrorist” që synon të rrëzojë qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Gulen ka qenë dikur aleat i Erdoganit.

Shumë mbështetës të Hizmetit janë arrestuar.

Të premten, gjykata ka vendosur që gazeta “Zaman”, e cila ka një tirazh prej rreth 650,000 copash, duhet të drejtohet tani nga administratorët e shtetit. Shpjegime të tjera nuk janë dhënë.

“Për fat të keq, ne jemi shembull i hidhur i asaj që po ndodh në Turqi. Kjo është një njollë e zezë në demokracinë turke”, ka thënë kryeredaktori i gazetës “Zaman”, Abdulhamit Bilici.

Emre Soncan, gazetar i “Zaman”-it, ka shkruar në Twitter se “Qeveria turke ka konfiskuar njërin prej zërave të fundit kritikë… Fundi i demokracisë”.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se veprimi i Qeverisë turke ndaj gazetës është shqetësues.

“U bëjmë thirrje autoriteteve turke që të sigurojnë se veprimet e tyre afirmojnë vlerat universale demokratike, të mishëruara në Kushtetutën e tyre, përfshirë lirinë e fjalës dhe veçanërisht lirinë e shtypit”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka thënë se është “jashtëzakonisht i brengosur” me këtë veprim, i cili, sipas tij, rrezikon përparimin e bërë nga Ankaraja në fusha të tjera.

Federata Evropiane e Gazetarëve i ka bërë thirrje BE-së “që të mos mbetet e heshtur ndaj sekuestrimit politik të gazetës Zaman”.

Ky veprim kundër “Zaman”-it vjen pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Turqisë ka urdhëruar lirimin nga paraburgimi të dy gazetarëve turq, të akuzuar për zbulim të sekreteve shtetërore.

Can Dundar dhe Erdem Gul, nga gazeta “Cumhuriyet”, janë arrestuar në nëntor, për shkak të një raporti që pretendonte se Qeveria turke ka bërë përpjekje të transportojë armë për islamikët në Siri.

Dyshja përballet ende me burgim të përjetshëm në gjyqin që do të mbahet më 25 mars.

Vitin e kaluar, dy gazeta dhe dy kanale televizive në Turqi janë vënë nën administrimin e shtetit, për shkak të lidhjeve të dyshuara me lëvizjen Hizmet.

Në Indeksin e Lirisë së Shtypit më 2015, Turqia është renditur e 149-ta në mesin e 180 vendeve. Organizatat mediatike në Turqi thonë se mbi 30 gazetarë janë aktualisht në burg.

Qeveria, megjithatë, këmbëngul se gazetaria në Turqi është ndër më të lirat në botë.

Botimi i 5 marsit i gazetës “Zaman” në gjuhën angleze, i publikuar përpara marrjes nga shteti, ka nxjerrë ballinën e zezë, me titullin: “Ditë e turpshme për shtypin e lirë në Turqi”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG