Ndërlidhjet

logo-print

Shumë nga doganierët, të cilët janë suspenduar nga puna në Doganat e Kosovës gjatë vitit 2015 dhe gjatë këtij viti, dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mit-marrje, përvetësim i mjeteve monetare në mënyrë të paligjshme dhe vepra tjera, që bien në kundërshtim me rregullat e punës në këtë institucion.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se ndaj zyrtarëve të dyshuar janë marrë masat e nevojshme.

“Në vitin 2015, njësitë tona për hetime të brendshme kanë pasur në procedurë disiplinore të natyrave të ndryshme afër 40 zyrtarë doganorë. Disa prej këtyre rastevekanë përfunduar me masa disiplinore lokale, disa janë mbyllur, dhe disa janë dërguar në Prokurori, kurse gjatë këtij viti kemi pasur deri më tani dy raste të suspendimit të zyrtarëve doganorë”, bën të ditur Stavileci.

Rasti i fundit i suspendimit të doganierëve për keqpërdorim të pozitës zyrtare ka qenë gjatë kësaj jave.

Sipas Stavilecit, doganierët e suspenduar kanë punuar në pikën kufitare doganore në Merdare dhe dyshohen se kanë bërë lëshime me rastin e doganimit të mallrave në import.

Masat e ndërmarra nga Doganat e Kosovës për zyrtarët e këtij institucioni, sipas Stavilecit, tregojnë përkushtimin e Doganave për çrrënjosjen e keqpërdorimeve eventuale dhe përkushtim për të shërbyer me devotshmëri kundrejt qytetarëve të Kosovës.

“Në asnjërin institucion tjetër në Kosovë, nuk ka kapacitete hetimore të brendshme më të përgatitura sesa Doganat e Kosovës. Ne, vazhdimisht, tentojmë t’i rregullojmë dhe përmirësojmë procedurat e brendshme, në mënyrë që t’i ulim dukuritë negative, siç janë mit-marrja e të tjera”, thotë Stavileci.

Doganat e Kosovës janë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve, vlerësojnë se ka pasur hapa pozitivë në zvogëlimin e nivelit të ekonomisë joformale, por që ende ka hapësirë për mobilizim dhe angazhim për t’i luftuar këto dukuri negative.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gëraxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Doganat e Kosovës kanë pasur një rol të rëndësishëm në luftimin e ekonomisë së paligjshme.

“Nga vetë fakti që në vitin 2015 ku kemi pasur rritje të të hyrave, është një dëshmi që janë duke u bërë hapa pozitivë në luftë kundër informalitetit. Po ashtu, në një mënyrë periodike kemi lajmërime dhe paralajmërime për suspendim të doganierëve, varësisht nga pikat kufitare, për joprofesionalizëm dhe keqpërdorime dhe kjo tregon më së miri që është duke u bërë një luftë e mirë kundër informalitetit”, shprehet Gërxhaliu.

Ndryshe, të gjitha qeveritë pas luftës, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale, kanë deklaruar se do t’i luftojnë dukuritë negative dhe kishin vendosur si prioritet në politikat e tyre, parandalimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG