Ndërlidhjet

VOX

Paraja, “pengesë” për pavarësim nga prindërit


Ilustrim

Ilustrim

Të rinjtë e Kosovës, përfshirë ata mbi moshën 18 vjeç, thonë se me dëshirë do të jetonin të ndarë nga prindërit, pas kësaj moshe , edhe pse tradicionalisht janë shumë të lidhur me familjet.

Por, dëshira e tyre, në shumicën e rasteve mbetet e parealizuar për shkak të varshmërisë financiare nga prindërit.

Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, disa nga të rinjtë shprehen se mundësitë e punësimit janë jashtëzakonisht të vogla, kështu që pavarësimi financiar mbetet sfidë dhe obligim për të jetuar me prindër edhe pas moshës 20 vjeç.

Eda Morina, studente në vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik, thotë se po të kishte mundësi më të mira ekonomike, pavarësisht paragjykimeve të shoqërisë, do të merrte vendim për jetuar larg prindërve.

“E kisha marrë një vendim të tillë, pavarësisht mentalitetit tonë, pasi nuk e presin mirë të gjithë. Por, është mirë të jesh e pavarur ekonomikisht. Unë jam e varur nga familja, por mendoj se nuk është arsye e të qëndruarit bashkë me familje. Por, kur të jesh i punësuar, i pavarur, ke kushte për banim, pse mos të jetohet vetë”, thotë Eda.

Ngjashëm shprehet edhe shoqja e Edas, Vlora:

“Jam shumë e lidhur me familje, por nëse do të kisha mundësi financiare, do të jetoja edhe vetë”.

Mos ndarja nga prindërit, thotë Jetmir Haxhaj, 20 vjeç nga qyteti i Suharekës, lidhet ngushtë me varësinë ekonomike nga ana e familjes. Ai tregon se për shpenzimet e nevojshme për fakultet, varet nga familja.

“Më vonë, ndoshta pas moshës 25 vjeç, mund të marr vendim të ndahem nga prindërit. Varshmëria financiare detyron qëndrimin bashkë me familje. Në qoftë se mund të shkoj në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, mund të ndahem nga familja, por në Kosovë nuk mundem, nuk ka qysh... sepse unë varem nga të ardhurat e familjes”, tregon Jetmiri.

E gatshme për të jetuar larg familjes, por duke mos anashkaluar kujdesin ndaj tyre, është edhe Mirjeta Krasniqi, studente në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.

“Kushtet ekonomike në Kosovë nuk lejojnë ndarjen nga prindërit. Unë kam dëshirë të jetoj vetë, kam dëshirë të studioj jashtë Kosovës, por nuk kam mundësi. Unë jam e varur nga familja, nuk kam mundësi të punoj, edhe pse i kam 20 vjet. Por, nëse do të kisha një vend pune, besoj se do të jetoja larg prindërve, dhe familja besoj se do t’më përkrahte”, thekson Mirjeta.

Transformimet në shoqëri viteve të fundit kanë bërë që familjet të jenë me numër më të vogël të anëtarëve dhe me largimin nga familja pas moshës 20 vjeç.

Dhe, një vendim i tillë për të rinjtë është i drejtë, thotë Arianit Halili, student në Fakultetin Juridik.

"Të rinjtë, nëse i kanë kushtet ekonomike, ata duhet të ndahen nga prindërit, në të kundërtën (nëse s’i kanë kushtet ekonomike) vazhdojnë të jetojnë me ta. Unë jetoj me prindërit, pasi jam student, jam i papunë dhe jam i varur nga ta. Kur t’i përfundoj studimet dhe nëse gjej një vend pune, me siguri se do të largohem nga prindërit”, shprehet Arianiti.

Mundësia e njohurive të kulturave të ndryshme të botës, nëpërmjetmjeteve të komunikimit dhe kushtet, në të cilat jetojnë të rinjtë e vendeve të Evropës dhe botës, kanë bërë që një jetë të tillë ta ëndërrojnë edhe të rinjtë e Kosovës, thotë Fatlum Fazliu, student në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

“Ky gërshetimi i kulturave të ndryshme, ka bërë që rinia kosovare të bëjë përpjekje të jetojë vetë, por, nëse ka mundësi, në qoftë se merr pagë mujore. Unë jam i varur nga familja dhe për një vendim të tillë as që mendoj”, thotë Fatlumi.

Por, ndryshe mendon Meleqe Krasniqi, studente në Departamentin e Gjeografisë. Ajo thotë se edhe po të ketë mundësi ekonomike nuk do pranonte të largohej nga prindërit:

“Nuk e marr një vendim të tillë, pavarësisht kushteve ekonomike. Nuk e shoh të arsyeshme. Derisa prindërit janë kujdesur për mua deri në këtë moshë, asnjëherë nuk kisha pranuar të largohem nga ta”.

Ngjashëm thotë edhe i riu tjetër, Endrit Morina, 20 vjeç, i cili punon si dizajner, njëherësh studion për Ekonomi.

“Unë punoj dizajn, nuk jam i varur nga prindërit. Por, nuk e preferoj vetminë. Dua të jetoj bashkë me prindërit e mi”, thotë Endriti.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG