Ndërlidhjet

Maqedoni: Prokuroria Speciale, t’i ketë duart e lira


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se porositë e zv.ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, ishin shumë të qarta,se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian qëndrojnë fuqimisht pas marrëveshjes politike të njohur si marrëveshja e Përzhinos.

Sipas tij, deri më pesë qershor, kur dhe janë caktuar të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duhet të jetësohen në praktikë me përpikëri të gjitha pikat e saj.

“Vetë fakti që zoti Yee insistoi në këto tri pika, pastrimin e Listës zgjedhore, reformat në media dhe mospengimin e punës së Prokurores Speciale Publike, dëshmon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po edhe Bashkimi Evropian, janë të interesuar që këto tri pika të përmbushen në tërësi, si pjesë e marrëveshjes politike me qëllim që më 5 qershor të ketë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike”, vlerëson Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.

Nga ana tjetër, ish-diplomati Denko Malevski, aktualisht ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit, thotë se porositë e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, drejtuar udhëheqësve politikë të vendit, duhet shikuar në dimension se Maqedonia me çdo kusht do të duhet të hyjë në fazën e instalimit të sundimit të drejtësisë.

“Roli i Prokurorisë Speciale në Maqedoni është që t’i hapë ato kanale të mbyllura në sistemin politik të vendit, për të arritur deri tek ajo çka është e vërtetë, pra qytetarët të njihen me të vërtetën. Njëherësh, para drejtësisë të përgjigjen të gjithë ata, të cilët kanë keqpërdorur pozitat udhëheqëse në institucione të caktuara të vendit”.

“Çmimi, të cilin duhet ta paguajnë partitë politike në këtë drejtim, është shumë i madh, andaj dhe Prokurorisë Speciale i krijohen bllokada, për të cilat faktori ndërkombëtar duket se ka ngritur shqetësimin e tij”, thekson Denko Malevski.

Ndërsa, Musliu thekson se sa i përket punës së Prokurorisë Speciale, zyrtari i lartë i DASH-it ka shmangur gjuhën diplomatike dhe pa dorëza duket se u ka dhënë urdhër të gjithë faktorëve relevantë në Maqedoni që të mos e pengojnë punën e këtij institucioni.

“Është fakt se Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë paraqet frikë për të gjithë ata, të cilët e kanë shkelur ligjin ose i kanë keqpërdorur pozitat e tyre në institucionet shtetërore për përfitime personale. Dhe, në këtë drejtim porosia e zotit Yee ishte shumë e qartë se SHBA-ja do të qëndrojnë fuqimisht pas punës së prokurores Speciale, Katica Janeva, dhe do të insistojnë që detyrat e saj të realizohen deri në fund”.

“Nëse do të vazhdohet me obstruksione, atëherë do të insistohet në zgjidhje të tjera plotësuese ligjore për të krijuar kushte që ky institucion të veprojë në kuadër të kompetencave të përcaktuara me ligj. Do të thotë, nëse ka keqpërdorim të pozitave nga ana e gjykatës ose institucionet e tjera, të cilat janë të lidhura me gjyqësorin, atëherë do të imponohen zgjidhje ligjore për t’i mundësuar Prokurores Speciale të kryejë punën në mënyrë efektive”, thekson Musliu.

Ndërkaq, ish-diplomati Denko Malevski thekson se SHBA-ja dhe BE-ja drejtojnë gishtin kah udhëheqësit politikë, si fajtorë kryesorë për krijimin e ndasive të ndryshme në shoqërinë maqedonase, qofshin ato etnike, fetare, politike etj.

“Shoqëria maqedonase, përfundimisht, duhet të lirohet nga kthetrat e pushtetit, dhe për këtë, hapin e parë dhe kryesor duhet ta bëjnë partitë politike. Përfundimisht, duhet të sanksionohen sjelljet e partive politike në rastet kur me veprimet e tyre, krijojnë ndasi, mos të them nxisin konflikte ndëretnike, ndërfetare etj”, vlerëson Maleski.

Faktori ndërkombëtar disa herë ka porositur autoritetet e Maqedonisë se të gjithë duhet të angazhohen në zbatimin e plotë të marrëveshjes politike të nënshkruar nga katër partitë kryesore politike, si garanci për të pasur zgjedhje të lira dhe besueshme të cilat janë caktuar të mbahen më 5 qershor.

XS
SM
MD
LG