Ndërlidhjet

Fico nis bisedimet për koalicionin e ri


Robert Fico
Robert Fico

Kryeministri majtist i Sllovakisë, Robert Fico, ka nisur bisedimet për formimin e koalicionit të ri, pasi zgjedhjet parlamentare të së shtunës e kanë nxjerrë të dobët partinë e tij Smer.

Me 99 përqind të votave të numëruara, Smer pritet të fitojë 49 ulëse në parlamentin 150 vendesh.

Në legjislaturën e mëparshme, partia e Ficos ka pasur 83 ulëse.

“Si parti që i ka fituar këto zgjedhje, e kemi për obligim të bëjmë përpjekje për të ndërtuar një qeveri kuptimplotë dhe të qëndrueshme. E them qartë se kjo nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë Fico.

Partia liberale Liria dhe Solidariteti ka dalë e dyta me 21 ulëse, ndërsa partia konservative OLANO-NOVA e treta me 19 ulëse.

Partia Kombëtare e Sllovakisë, subjekt ky neo-nazist, do të kthehet në legjislaturë pas një mungese katërvjeçare, me 14 ulëse.

Në total, tetë parti do të përfaqësohen në parlamentin e ri.

Përpara zgjedhjeve, Fico ka thënë se nuk do të lejojë asnjë migrant mysliman në vendin e tij.

Pikëpamjet e tij ekstreme janë të ngjashme me ato të Qeverisë së Polonisë, Çekisë dhe Hungarisë.

Sllovakia merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në muajin korrik.

XS
SM
MD
LG