Ndërlidhjet

Presidenti çek del me një tjetër ide për migrantët


Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman.
Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman.

Greqia mund të paguajë borxhet e saj të jashtme, duke mbajtur qendra të dëbimit dhe, rrjedhimisht, duke i dhënë Evropës një tjetër opsion për trajtimin e krizës me migrantë, ka thënë presidenti çek, Millosh Zeman.

Zeman, duke folur të dielën për televizionin çek Prima, ka thënë se ideja ka ardhur nga një këshilltar i tij.

“Kjo është një ide origjinale që mund të vrasë dy zogj me një gur”, ka thënë Zeman.

“Qendrat e paraburgimit do të ndërtohen në ishujt grekë, ku do të dëbohen migrantë nga Evropa. Dhe, Greqia, me mbajtjen e këtyre qendrave, mund të paguajë borxhin e saj të jashtëm, që ndryshe është i pashlyeshëm”, ka thënë Zeman.

Të hënën, Bashkimi Evropian do të mbajë një samit me Turqinë për krizën me migrantë.

Gjermania ka thënë se gjetja e mënyrave për të ndihmuar Greqinë, që është pika kryesore hyrëse për migrantët në Evropë, do të jetë prioritet.

Zeman ka kompetenca të kufizuara në politikëbërje, por ka qenë i zëshëm në çështjen e migrantëve.

Ai ka thënë se integrimi i komuniteteve myslimane është “praktikisht i pamundur”, ndërsa fluksin e migrantëve e ka cilësuar si “pushtim të organizuar”.

XS
SM
MD
LG