Ndërlidhjet

Kriza me migrantë: Turqia i vë kushte të reja BE-së


Bruksel, 7 mars 2016.
Bruksel, 7 mars 2016.

Në samitin në Bruksel, Turqia ka kërkuar nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian koncesione shtesë, përfshirë dyfishimin e fondeve nga blloku, në këmbim të bashkëpunimit më të gjerë për të frenuar fluksin e migrantëve në Evropë.

Përfaqësuesit e BE-së janë duke bërë përpjekje të arrijnë marrëveshje me Ankaranë, për të kthyer në Turqi migrantët që kanë ikur nga vendet e tyre për arsye ekonomike dhe jo për të shpëtuar nga efektet direkte të luftës, në vendet si Siria.

Agjencitë e lajmeve citojnë diplomatë të kenë thënë privatisht se Turqia ka rritur çmimin e saj për bashkëpunim me BE-në përtej kërkesave të mëparshme, por gjithashtu është ofruar të bëjë më shumë për të frenuar rrjedhën e migrantëve.

Burimet diplomatike thonë se pala turke ka kërkuar dyfishimin e ofertës së BE-së, në vlerë prej tre miliardë eurosh, të bërë në muajin nëntor.

Agjencia Reuters raporton se korrespondenti i saj ka parë një draft-propozim, sipas të cilit, BE-ja do të ofrojë fundin e regjimit të vizave për qytetarët turq që duan të udhëtojnë në vendet e BE-së, nisur nga muaji qershor.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se synim i Turqisë është të dekurajojë migrantët nga përpjekjet për të arritur në Evropë dhe të luftojë kundër trafikuesve me njerëz.

Ai po ashtu ka thënë se Turqia ka nevojë për më shumë ndihmë nga NATO-ja, për të parandaluar valët e reja të migrantëve që bëjnë përpjekje të kalojnë Detin Egje dhe të arrijnë në Greqi nga Turqia.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Britania dhe Franca do të dërgojnë anije në Detin Egje, në kuadër të misionit të NATO-s atje.

Stoltenberg po ashtu ka thënë se NATO-ja ka vendosur të intensifikojë operacionet monitoruese dhe të inteligjencës përgjatë kufirit Siri-Turqi.

Vitin e kaluar, mbi një milion njerëz kanë hyrë në BE ilegalisht, me anije nga Turqia për në Greqi.

Shumë mirgantë largohen nga Greqia në përpjekje për të arritur në veri të Evropës, por tetë vende kanë vendosur tashmë kontrolle të përkohshme kufitare.

Rreth 13,000 migrantë janë aktualisht të bllokuar në Greqi, pasi Maqedonia ka mbyllur kufirin për të gjithë, pos për sirianët dhe irakianët.

Përpara nisjes së samitit në Bruksel, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se pret “diskutime të vështlira”.

“Ajo që duam të arrijmë, është të ulim numrin e migrantëve të paligjshëm. Ky nuk duhet të jetë shqetësim i vendeve individuale, por i të gjithave, përfshirë edhe Greqinë. Kjo është arsyeja përse na duhet një zgjidhje e qëndrueshme; një zgjidhje që përfshin mbrojtjen e kufijve të jashtëm (të Bashkimit Evropian). Veprimi në kufijtë detarë do të jetë i mundur vetëm përmes bashkëpunimit me Turqinë”, ka thënë Merkel.

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka thënë se Britania nuk do t’i bashkohet asnjë procesi të përbashkët për azil në Evropë.

“Është e rëndësishme që ne të ndihmojmë kontinentin e Evropës në sigurimin e kufijve të jashtëm. Kjo është në interesin tonë, andaj do të dërgojmë anije britanike për një gjë të tillë. Por, kjo nënvizon statusin e veçantë që kemi në këtë organizatë, sepse ne nuk jemi në zonën pa kufij të Schengen-it”, ka thënë Cameron.

Evropa është duke përjetuar krizën më të rëndë me migrantë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Qysh në fillim të vitit 2016, më shumë se 400 migrantë kanë vdekur ose janë zhdukur në përpjekje për të arritur Greqinë nga Turqia, me anije të pasigurta.

Më 6 mars, një anije është fundosur në bregdetin turk, duke shkaktuar vdekjen e 25 vetave.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG