Ndërlidhjet

Janë paraqitur shqetësime dhe kritika lidhur me pajtueshmërinë në pikat kryesore ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë, për çështjen e krizës së migrantëve, përfshirë perspektivën e kthimit të refugjatëve nga BE-ja në Turqi.

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) tha se dëbimi kolektiv i personave të jashtëm nuk është i lejuar me të drejtën ndërkombëtare.

Drejtori i UNHCR-së për Evropë, Vincent Cochetel, tha se “është lodhur duke dëgjuar për migrantët e parregullt” dhe ka theksuar se 91% e atyre që po arrijnë në Greqi, janë nga shtetet e përfshira në luftë, siç janë Iraku, Siria dhe Afganistani.

Sipas tij, Turqia ka bërë më tepër për refugjatët se sa Bashkimi Evropian.

Aktualisht, në Turqi janë të strehuar 2.75 milionë refugjatë, shumica prej Sirisë fqinje.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, fuqishëm e ka kritikuar marrëveshjen e mundshme, pikat e përgjithshme të së cilës janë arritur në samitin e mbrëmshëm ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë, të mbajtur në Bruksel.

“Liderët e BE-së dhe Turqisë sot janë zhytyr edhe më thellë, efektivisht duke bërë pazarllëqe me të drejtat dhe dinjitetin e disa prej njerëzve më të ndjeshëm në botë”, thuhet në deklaratën e shefes së zyrës së Amnesty International në Bruksel, Iverna McGowan.

XS
SM
MD
LG