Ndërlidhjet

Turqia dëshiron të bashkëpunojë me OKB-në për migrantët


Ilustrim
Ilustrim

Ministri i jashtëm turk ka thënë se vendi i tij dëshiron të punojë me agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, si dhe me organizatat e tjera humanitare, në mënyrë që të menaxhojë sa më mirë një marrëveshje të mundshme me Bashkimin Evropian, e cila parasheh kthimin e mijëra migrantëve në Turqi.

Mevlut Cavusoglu gjithashtu e ka mbrojtur marrëveshjen, duke e cilësuar atë si mënyrën më të mirë për të dekurajuar migrimin e parregullt, si dhe luftimin e kontrabandës me njerëz, në rrugën përgjatë detit Egje deri në Greqi.

Komentet e tij erdhën sot pas një takimi të përbashkët me ministrat belg të Punëve të Brendshme, të Jashtme dhe të Drejtësisë.

Këto komente vijnë si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga Kombet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut, se Turqia nuk do të jetë në gjendje ta menaxhojë situatën me migrantë.

Më shumë se 2.7 milionë refugjatë sirianë ndodhen në Turqi. Shumica prej tyre janë strehuar nga familjet turke apo jetojnë në hapsira të hapura, ndërsa të paktë janë ata që ndodhen në strehimore të ndërtuara nga qeveria turke.

Sipas marrëveshjes, njerëzit që arrijnë në Greqi, që kanë ikur nga lufta apo varfëria, do të kthehen në Turqi, në rast se ata nuk aplikojnë për azil.

“Qëllimi është t’a ndalim migrimin e parregullt dhe të sigurojmë një migrim të rregullt”, tha Cavusoglu.

XS
SM
MD
LG