Ndërlidhjet

Mustafa rithekson se janë përmbushur kriteret për liberalizim të vizave


Kryeministri i Kosovës - Isa Mustafa
Kryeministri i Kosovës - Isa Mustafa

Institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kërkesat dhe rekomandimet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, ka deklaruar sot kryeministri Isa Mustafa. Këto komente ai i ka bërë në takimin e mbajtur me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e rekomandimeve për liberalizimin e vizave.

“Kam kënaqësinë që të konstatoj se me këtë (përmbushjen e kritereve) edhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të realizojnë të drejtën e tyre të lëvizjes së lirë”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq lidhur me çështjen e fundit të mbetur nga kriteret e kërkuara, atë të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, Mustafa tha se po punohet që gjithçka të përfundoj me kohë.

“Është aprovuar puna e Komisionit Shtetëror, do të jetë edhe një komision ndërkombëtar i cili edhe njëherë do ta rivlerësojë atë punë, në pikëpamje të respektimit të procedurave të shënimit të kufirit”, ka deklaruar ai. Sipas kryeministrit të Kosovës, fillimisht do të hiqen të gjitha dilemat dhe dyshimet e ngritura dhe më pastaj marrëveshja me Malin e Zi për demarkacion do të ratifikohet në Kuvend.

Ndërkaq, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë se një mision vlerësues i ekspertëve nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga zyrtarët e Komisionit Evropian do të jenë në Kosovë më datën 17 dhe 18 mars për të verifikuar gjendjen faktike në terren lidhur me përmbushjen e tetë rekomandimeve të fundit në këtë proces.

XS
SM
MD
LG