Ndërlidhjet

SHBA: Thellohet misteri i vdekjes së ish-ministrit rus, Lesin

  • RFE /RL

 Mikhail Lesin

Mikhail Lesin

Mike Eckel dhe Carl Shreck

Misteri rreth ish-ministrit rus të informacionit, Mikhail Lesin, i cili vdiq në Uashington, pas goditjes së fortë në kokë, është thelluar edhe më tepër, pas raporteve se policia po zhvillon hetime, nëse Lesin ishte sulmuar jashtë hotelit.

Njëherësh, një ekzekutiv biznesor rus, i cili tha se ishte shok i ngushtë i të ndjerit Lesin, i tha gazetës Kommersant, se Lesini kishte pirë shumë gjatë ditëve, para se trupi i tij ishte gjetur në Dupont Circle Hotel në Uashington, në mëngjes të datës 5 nëntor 2015.

Në Moskë, prokurori i përgjithshëm i Rusisë, tha mrëmë se Uashingtonit i është bërë kërkesë formale për detaje të hetimeve.

Lesin – themelues i Russia Today

Mikhail Lesin, 59- vjeçar, ka shërbyer si ministër i shtypit i presidentit të Rusisë, Vlaidmir Putin, në periudhën 1999 – 2004, gjatë së cilës periudhë ai e ka udhëhequr gjigantin e mediave, Gazprom Media, që ishte nën kontroll të Kremlinit, dhe ka ndihmuar në themelimin e rrjetit televiziv në gjuhën angleze, Russia Today, i njohur me shkurtesën RT.

Në vitin 2013, ai u bë shef i kompanisë Gazprom –Media Holding, por pas një viti paraqiti dorëheqje, për të cilën raportohej se shkak ishin çështjet familjare.

Në vitin 2014, në senator amerikan ka kërkuar që Departamenti i drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të zhvilloj hetime, nëse Lesin ka shfrytëzuar fonde joligjore për të blerë shtëpia prej disa miliona dollarëve në territorin e Los-Anxhelosit, por ka mbetur e paqartë nëse ndonjëherë ishte hapur ndonjë hetim.

Nuk arriti të merrte pjesë në darkën luksoze

Vetëm dy ditë para se trupi i tij i pajetë të gjendej më 5 nëntor, Mikhail Lesin ishte në listën e mysafirëve për të marrë pjesë në një darkë luksoze në hotelin Ritz Carlton në Uashington, për nderim të miliarderit dhe filantropistit rus, Pyotr Aven, dhe Susan Lehrman, një personalitete e shquar, investuese dhe mbështetëse e artit në Uashington.

Por, Mikhail Lesin nuk arriti të merrte pjesë në këtë darkë.

Pasi trupi i tij ishte zbuluar në dhomën e tij në hotel, policia e qytetit të Uashingtonit pati indikuar se nuk po e trajton vdekjen e tij si hetim për vrasje dhe se një zyrtar në degën e vrasjeve në Uashington ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo ishte çështje, me të cilën po merrej njësia e vdekjeve natyrore.

Megjithatë, më 10 mars, më tepër se katër muaj pasi është gjetur trupi i pajetë, Zyra e mjekoligjorit të qytetit i ka publikuar gjetjen e veta, duke thënë se Lesin ka vdekur nga goditja e fuqishme në kokë dhe në pjesët e tjera të trupit të tij.

Raporti: “Një lloj i grindjes”

E përditshmja New York Times ka raportuar më 11 mars duke cituar një zyrtar të paemëruar për zbatim të ligjit që ka thënë se lëndimet ishin pasojë e asaj që gazeta i ka përshkruar si “një lloj i grindjes”, që ka ndodhur para se Lesin të kthehej në dhomën e tij në hotel.

Agjencia Reuters, po ashtu, e ka cituar një zyrtar të paemëruar të policisë, që ka thënë se hetuesit poanalizojnë nëse Lesin ishte sulmuar jashtë hotelit.

Departamenti i policisë ka njoftuar te premten se po vazhdon në mënyrë aktive hetimin e vdekjes.

Vasilyev: Lesin ishte i dehur

Në një intervistë për të përditshmen ruse, Kommersant, Sergei Vasilyev, kryesues i grupit medial të reklamave, me ermin Vi, bashkëthemelues i së cilës ishte Mikhail Lesin, tha se Lesin ishte regjistruar në hotel më 2 nëntor.

Vasilyev është cituar duke thënë se Lesin në atë kohë ishte i dehur dhe më 3 nëntor kishte dale jashtë për të blerë më tepër alkool.

Në mbrëmje të 4 nëntorit, thotë Vasilyev, një roje e sigurisë së hotelit shkoi në dhomën e Lesinit “për ta vizituar mysafirin që nuk ishte larguar nga doma”.

Roja e ka gjetur Lesinin gati të shtrirë në dysheme dhe kur është përpjekur ta lëvizë Lesinin në shtrat, ai ka rezistuar, prandaj roja e ka lënë atë në dysheme, ka thënë Vasilyev.

Burimi për informacionin e zotit Vasilyev nuk është i qartë dhe askush nuk është përgjigjur në telefonin e kompanisë së tij në Moskë, mbrëmë vonë.

Aleksei Venediktov, një tjetër mik i njohur i të ndjerit Lesin, i cili e udhëheq radio stacionin, Ekho Moskvy, i tha gazetës ruse, Moskovsky Komsomolets, se Lesin kishte pasur dhomë edhe në hotelin tjetër luksoz, Four Seasons, në Uashington.

“Por, kjo ishte dhoma e dytë ose dhomë mbështetëse, qartas e përdorur për ndonjë lloj të takimeve të tjera dhe bizneseve të tjera”, tha Venediktov.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG