Ndërlidhjet

Amnistimi i mashtrimeve zgjedhore stimulon përsëritjen e veprave


Ilustrim
Ilustrim

Pavarësisht kritikave të partive opozitare dhe protestave të vazhdueshme të sektorit civil, Gjykata Kushtetuese si duket është e vendosur për ta çuar deri në fund nismën për t'i kthyer presidentit të shtetit, të drejtën e faljes së personave që mund të akuzohen, apo gjykohen për mashtrime zgjedhore dhe krime tjera të ndryshme.

Kjo çështje do të jetë temë debati e Gjykatës në mbledhjen e radhës, edhe pse nisma ishte kundërshtuar nga gjysma e anëtarëve të Gjykatës, por me një votë me shumë ajo vendosi të debatojë dhe ta hedhë në votim këtë çështje që ka ngritur debate të shumta.

“Kjo do të thotë se të gjithë ata që kanë votuar me letërnjoftime të rreme, ata të cilët kanë sjellë njerëz nga Shqipëria për të votuar në Maqedoni, të gjitha ata që edhe në të ardhmen do të bëjnë mashtrime zgjedhore, do të mund të falen nga presidenti i shtetit. Kjo është e tmerrshme dhe ne, me të gjitha format duhet të parandalojmë një gjë të tillë, pasi presidenti vihet mbi të gjithë, mbi gjykata”.

Me këtë inkurajohen të gjitha ata që kanë bërë mashtrime zgjedhore, këtë ta bëjnë edhe në të ardhmen. Me një vendim të tillë eventual humb kuptimi i zgjedhjeve dhe i kritikave të vazhdueshme nga jashtë, se proceset zgjedhore në Maqedoni nuk janë zhvilluar në përputhje me standardet evropiane“, thotë Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit në Maqedoni.

Komiteti i Helsinkit, me shumë shoqata të tjera, po protestojnë në vazhdimësi kundër kësaj nisme që është ngritur në Gjykatën Kushtetuese nga një avokat që është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-ministrave të Punëve të Brendshme dhe Transportit, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, që po hetohen nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore.

Në rast se nisma e tij miratohet dhe i kthehet presidentit e drejta e faljes, atëherë kreu i shtetit mund të dekretojë në çdo moment faljen e tyre, madje ende pa përfunduar procesi zgjedhor.

Aleksandar Tortevski, njohës i çështjeve juridike, thotë se një vendim i tillë mund të shkaktojë tensione në kohën kur i gjithë opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, po bëjnë përpjekje për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira.

“Gjykatësit që kanë votuar për këtë çështje, do të bëjnë pjesë në grupin e kriminelëve më të mëdhenj, ata bëhen bashkëpjesëmarrës në vepra të paligjshme. Me këtë përçohet mesazhi te të gjithë dhunuesit e procesit zgjedhore se mund të bëjnë çfarë të duan, pasi pushteti aktual ka mekanizma për mbrojtjen e tyre nga ndjekja penale“, vlerëson Tortevski.

Osman Kadriu, profesor i së Drejtës Kushtetuese, gjithashtu thotë se pasojat nga një vendim i tillë, do të jenë të rënda, ndërsa nuk përjashton mundësinë që kjo të çojë edhe në anulimin e zgjedhjeve të parapara për në qershor.

“Nëse gjykata e mbështet këtë vendim, atëherë pasojat do të jenë shumë të rënda për shtetin, si për raportet ndërnjerëzore,ashtu edhe për ato ndëretnike. Me një vendim të tillë, do të stimulohej Gjyqësori për lëndët që do t'i ketë në procedurë, të ngritura nga Prokuroria Speciale, që të ketë qasje negative dhe të mos i zbardh”.

“Kjo do të krijojë një kaos të vërtetë, sa që jam thellë i bindur se ai kaos do të ketë pasoja edhe në shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për në qershor“, thekson Kadriu.

Nisma për t’i kthyer presidentit të drejtë e faljes së veprave që kanë të bëjnë me mashtrimet zgjedhore dhe vepra tjera të dënueshme, është kritikuar edhe nga Bashkimi Evropian.

“Çdo nismë për mosndëshkimin e shkelësve të procesit zgjedhor, do të jetë në kundërshtim me përpjekjet e vendit dhe komunitetit ndërkombëtar për krijimin e kushteve për zgjedhje të pranueshme dhe kthimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor. Hapi i këtillë do të ishte në kundërshtim me vendimin e Kuvendit dhe të partive politike për formimin e Prokurorisë Speciale, e cila duhet t’i hetojë dyshimet, përfshirë këtu edhe shkeljet në zgjedhjet e kaluara”, kanë transmetuar mediat deklaratën e Maja Kocijançiqit, zëdhënëse e komisionarit për zgjerim të BE-së.

E drejta e faljes së veprave të tillë, presidentit të shtetit i është hequr në vitin 2009 pas një vendimi të presidentit të atëhershëm, Branko Cërvenkovski, për të amnistuar kryetarin e Strumicës, Zoran Zaev, [tani lideri i opozitës maqedonase] lidhur me një aferë korruptive.

XS
SM
MD
LG