Ndërlidhjet

Opozita në Shqipëri vendos kushte për praninë në Parlament


Kuvendi i Shqipërisë (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Shqipërisë (Foto nga arkivi)

Java politike në Shqipëri është mbyllur me tensione ndërmjet opozitës e pozitës, i shfaqur më tepër në marrëdhënien me Parlamentin.

Opozita ka vendosur të marrë pjesë në miratimin e nën-akteve ligjore për ligjin e dekriminalizimit dhe votimin për dërgimin e vendimit për mandatin e deputetit Koco Kokëdhima në Gjykatën Kushtetuese.

Opozita ka hedhur kërkesa të tjera, siç është gjetja e mekanizmave nga shumica për të larguar Armando Prengën nga Parlamenti, pasi ky i fundit është nën gjykim për plagosje me armë zjarri dhe kalimin në Gjykatën Kushtetuese të mandateve të dy deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli.

Ndërkohë, Komisioni i Venecias ka dërguar rekomandimet për draftin e Reformës në Drejtësi, e cila duhet të kalojë në Parlament për miratim.

Si Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, vazhdojnë të kenë ndasitë e tyre, për të cilat duhet të gjejnë konsensusin në bazë të këtyre rekomandimeve.

Por, ngërçi politik është i njëjtë si disa javë më parë - socialistët besojnë tek ekspertët, ndërsa demokratët këmbëngulin te konsensusi politik.

Qëndrimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sipas kryetarit të saj, Ilir Meta, janë se ata do të mbështesin vetëm rekomandimet e Venecias.

Partitë politike duket se nuk këmbëngulin te reforma, por te ndikimi i tyre në gjyqësor.

Nëse reforma arrihet me konsensus, opozita mund të thotë se ishte faktor në proces. Nëse punën e bëjnë ekspertët, socialistët e ruajnë të paprekur nismën e tyre.

Puna për reformën në drejtësi ka nisur nën presionin e fortë të ndërkombëtareve. Pak ditë me parë në Tiranë ishte përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federika Mogherini.

Tri javë më parë, John Kerryt iu premtua që reforma do të miratohej në pranverë si nga kryeministri Edi Rama, ashtu dhe nga kreu i opozitës Lulzim Basha.

XS
SM
MD
LG