Ndërlidhjet

ASK-ja me statistika të vjetruara


Ilustrim
Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës është institucion i vetëm shtetëror dhe profesional, i cili merret me grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare të statistikave.

Pavarësisht kësaj, në faqen zyrtare të kësaj agjencie, statistikat e publikuara në të shumtën e rasteve janë të dy viteve më herët.

Faktet për popullsinë, statistikat për indikatorët socialë dhe ekonomikë vjetor, në faqen zyrtare të kësaj agjencie vazhdojnë të mbesin të vitit 2014, përderisa indikatorët bujqësorë të vitit 2011.

Përveç mospërditësimit të të dhënave, për ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, edhe besueshmëria dhe cilësia e tyre janë larg nivelit të standardeve evropiane dhe kanë nevojë për përmirësim, sidomos në statistikat ekonomike.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se mospërditësimi i statistikave, krijon probleme në përgatitjen e projekteve dhe publikimeve të ndryshme, pasi, siç thotë ai, të dhënat janë bazë për projektet dhe efektivitetin e tyre.

Përveç problemeve që sjell në fusha të ndryshme vjetërsia e tyre, shprehet Gërxhaliu, ato përjetojnë amortizim fizik dhe moral.

“Në ekonominë moderne është e pamundur të arrihet progres nëse hulumtimet dhe projektet nuk bazohen në të dhëna të sakta dhe ekzakte. Në këtë drejtim, Kosova është duke paguar një çmim shumë të shtrenjtë, pasi statistikat në Kosovë janë të vjetra dhe nuk kanë një hulumtim empirik që mund të jetë i një shkalle të lartë të besueshmërisë”, shprehet Gërxhaliu.

Në anën tjetër, zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, për Radion Evropa e Lirë, kanë bërë të ditur se për treguesit ekonomikë, ata të popullsisë dhe papunësisëtregohen vetëm treguesit vjetorë, për të cilët ende nuk ka të dhëna më të reja vjetore.

Kurse, sa i përket statistikave për bujqësi, ASK- ja është duke bërë përzgjedhjen e treguesve, pasi që ka shumë nga regjistrimi i bujqësisë.

Hazbije Qeriqi, zyrtare e lartë për Komunikim me publikun në këtë agjenci, thotë se, sipas Kalendarit të publikimeve 2016,të dhënat për vitin 2015 do të publikohen në qershor të vitit 2016.

Ndryshe, ASK-ja prezanton publikime për çdo tre muaj, por jo vjetore.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, konsiderojnë se publikimi i të dhënave, si në aspektin kohor, po ashtu edhe të formatit, ka hasur në vështirësi nga ASK-ja.

Berat Thaçi nga Instituti për Studime të Avancuara “ GAP”, thotë se nga kjo agjenci, përveç vonesave kohore, publikimin e tyre e bën në formate vështirë të lexueshme.

Ai thotë se kjo agjenci ka nevojë për trajnime shtesë të kapaciteteve njerëzore.

“Ka pasur raste kur janë kontestuar të dhënat e ASK-së, sidomos sa i përket të dhënave të çështjes së punësimit, mirëpo nuk ka pasur ndonjë auditim më serioz apo ndonjë verifikim të metodologjisë apo mbledhjes së të dhënave”.

“Kjo është një çështje shumë serioze, por në Kosovë nuk kemi e të rregulluar që ndonjë kompani audituese që të auditojë edhe cilësinë e mbledhjes së të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës”, thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, misioni i sistemit të statistikave është që të përmbushë kërkesat e përdoruesve me të dhëna statistikore cilësore, të besueshme dhe objektive. Këto të dhëna, vihen në dispozicion në kohën e duhur dhe paraqiten në mënyrë që lehtësojnë përpjekjet planifikuese dhe zhvillimore në nivel vendi.

Por, Safet Gërxhaliu, përveç vjetërsisë së të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dyshon edhe në besueshmërinë e tyre, pasi thotë se statistikat duhet të jenë të dobishme dhe relevante për shfrytëzuesit.

“Definitivisht, nëse nuk ka një përditësim dhe nuk analizohet një mostër dhe kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti se dy vjet në shekullin e ekonomisë janë shumë të mëdha, atëherë vërtet po devalvohen dhe kanë shumë pak gjasa të kenë besueshmërinë e merituar dhe nevojshme”, thekson Gërxhaliu.

Ndryshe, gjatë kësaj jave përfaqësues të Bankës Botërore dhe deputetë në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës që të publikojë edhe raporte të statistikave për ekonominë joformale dhe statistikat se sa qytetarë punësohen gjatë një viti dhe në cilët sektorë.

Për të gjitha këto, Isa Krasniqi, drejtor i ASK-së thotë se agjencia ka një progres në publikimin e raporteve statistikore, por sfidë mbetet mungesa e buxhetit dhe kapaciteteve njerëzore.

XS
SM
MD
LG