Ndërlidhjet

Erdogan: Turqia po bëhet shënjestër e sulmeve terroriste


Pamje pas shpërthimit në Ankara, 13 mars 2016
Pamje pas shpërthimit në Ankara, 13 mars 2016

Zyrtarët në Turqi thonë se të paktën 34 njerëz janë vrarë nga një shpërthim i fuqishëm, mbrëmjen e 13 marsit, në kryeqytetin e vendit, Ankaranë.

Ministri turk i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinoglu, tha se 125 njerëz janë lënduar si pasojë e shpërthimit dhe se ata po trajtohen nëpër spitale, përderisa 19 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë e kritike.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia po shndrrohet në një vend shënjestër për sulmet terroriste, për shkak të jostabilitetit rajonal gjatë viteve të fundit.

Ai tha se organizatat terroriste kanë për synim shënjestrimin e civilëve, sepse ato po humbasin në përpjekjet e tyre kundër forcave të sigurisë.

Shpërthimi ndodhi në Guvenpark, në sheshin Kizilay, një qendër kryesore e transportit dhe zonë komerciale.

Televizioni NTV ka raportuar se bëhet fjalë për një sulm vetëvrasës.

Ky kanal i lajmeve gjithashtu tha se eksplozivët e paketuar në një veturë, kanë shpërthyer në afërsi të një stacioni autobusësh, në afërsi të parkut.

Disa vetura u mbërthyen nga zjarri, raporton televizioni.

Kjo zonë ndodhet në afërsi të ndërtesave qeveritare, përfshirë disa ministri.

Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin. Por, kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu tha se hetuesit janë duke i ndjekur gjurmët dhe se autoritetet “kanë informata konkrete lidhur me grupin terrorist që ndodhet prapa sulmit.”

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Efkan Ala tha se emri i organizatës që qëndron prapa sulmeve do të bëhet i ditur posa të përfundojnë hetimet gjatë ditës së hënë.

Ky është sulmi i tretë në Ankara në pesë muajt e fundit, në zona në afërsi të zyrës së kryeministrit, parlamentit dhe ambasadave të huaja, në një kohë kur Turqia po angazhohet në luftën kundër Shtetit Islamik dhe kundër luftëtarëve nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.

Canberra tha se ambasadori i Australisë në Turqi, James Larsen, ndodhej në veturën e tij, në një udhë lidhëse vetëm 20 metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi.

Një gjykatë turke urdhëroi një ndalesë për qasje në Facebook dhe Twitter, më 13 mars, pasi pamjet e viktimave të shpërthimit në Ankara filluan të publikoheshin në rrjetet sociale.

Disa përdorues të medieve sociale në Turqi raportuan për vështirësi në faqet e internetit CNN Turk dhe NTV, njoftojnë kanalet respektive.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG