Ndërlidhjet

Tre migrantë nga Afganistani kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar lumin “Suva Reka” afër Gjevgjelisë, te kufiri me Greqinë.

Natalia Spirovska Kordiq nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se organet e hetuesisë janë në terren dhe po punojnë në zbardhjen e rrethanave që çuan deri te mbytja.

“Organet e hetuesisë janë në terren dhe po punojnë për të zbardhur rastin në fjalë. Ajo që mund të them për momentin është se bëhet fjalë për shtetas afganë, identiteti i të cilëve është konfirmuar”, ka deklaruar Natalia Spirovska Kordiq, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.

Nga Qendra për menaxhim me krizat kanë bërë të ditur se migrantët kishin kaluar ilegalisht kufirin afër fshatit, Moin, pranë kufirit grek. Për shpëtimin e migrantëve të tjerë kanë marrë pjesë edhe njësitet e mbrojtjes territoriale dhe të zjarrfikësve të Gjevgjelisë.

Ngjarja ka ndodhur në orën 7:30 të mëngjesit të së hënës, në kohën kur viktimat – dy burra dhe një grua – së bashku me 23 persona të tjerë po përpiqeshin të kalonin lumin.

Personat e shpëtuar janë dërguar në qendrën transitore në Gjevgjeli, ku u është ofruar dhe ndihma mjekësore.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme edhe sot kanë theksuar se Maqedonia mbetet në qëndrimin që të mos e hapëkufirin për migrantët që po presin në Idomeni të Greqisë, për aq kohë sa edhe Serbia nuk lejon që të hyjnë migrantë në territorin e saj.

“Mbetemi në vendimin se Maqedonia do të lejojë të hyjnë në territorin e saj nga Greqia po aq migrantë sa do të pranojë Serbia, për të vazhduar rrugën drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, ka theksuar për Evropën e Lirë, Natalia Spirovska Kordiq,përgjegjëse për çështjen e migrantëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Por, organizatat humanitare që veprojnë përgjatë kufirit Maqedoni-Greqi thonë se situata në kampin Idomeni të Greqisë është alarmante , pasi migrantët qëndrojnë në baltë dhe në tenda të mbushura me ujë, ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre vuajnë dhe nga sistemi respiratorë (frymëmarrjes), si pasojë e tymit nga ndezja e zjarreve me gjësende të plastikës dhe rrobave.

“Kushtet në Idomeni të Greqisë janë katastrofale. Akoma mbi 10 mijë refugjatë mbeten të vendosur për të pritur që të hapet kufiri . Të reshurat e shiut kanë bërë që tendat të jenë të mbushura me ujë...organizatat humanitare nuk arrijnë t’i pajisin me rroba të thata të gjithë migrantët, edhe pse autoritetet greke u mundësojnë edhe organizatave humanitare nga Maqedonia të veprojnë në kampin Idomeni.”

“Aty mungojnë barnat për të sëmurët kronikë, dhe më të prekur janë fëmijët, pjesa më e madhe e të cilëve janë të sëmurë nga të ftohtit ”, bën të ditur Jasmin Rexhepi, drejtues i organizatës humanitare, LEGIS.

Nga ana tjetër, mbi 1100 refugjatë kanë mbetur të bllokuar në kampin e improvizuar në Tabanoc, në afërsi të kufirit me Serbinë,ndërkohë që mbi 300 të tjerë, për më shumë se një javë, janë duke qëndruar në qiell të hapur,në zonën neutrale mes Maqedonisë dhe Serbisë, pasi kjo e fundit e ka mbyllur kufirin dhe nuk u ka lejuar migrantëve të vazhdojnë rrugën drejt Gjermanisë.

XS
SM
MD
LG