Ndërlidhjet

Sulmet e dhunshme ndjellin frikë dhe pasiguri te qytetarët


Sulmi me molotov ndaj Presidencës
Sulmi me molotov ndaj Presidencës

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë si dhe të veturave zyrtare shtrojnë nevojën urgjente që të zbardhën sa më shpejtë, vlerësojnë ekspertë të fushës së sigurisë në vend.

Këso lloj zhvillime të dhunshme, sipas tyre, krijojnë frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës.

Ata kërkojnë nga autoritetet e rendit që të ndërmarrin hapa konkret që personat të cilët qëndrojnë mbrapa këtyre sulmeve të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mosefikasiteti i organeve të rendit dhe Qeverisë së Kosovës po shkakton pasiguri të madhe tek qytetarët.

“Çfarë sigurie mund të ketë secili banor i Kosovës kur sulmohet presidenca dhe nuk gjendet motivi dhe kryerësi i aktit. Sulme mund të ndodhin në çdo vend të botës, por duhet të gjendet kryerësi i sulmit dhe motivi”, thekson Maloku.

Të shtunën në orët e hershme të mëngjesit nga persona të maskuar ishte sulmuar objekti i Kuvendit të Kosovës, ku cak kanë qenë zyrat e Presidencës.

Policia e Kosovës kishte raportuar se disa persona të dyshuar, të maskuar, kanë hedhur koktej molotovi në drejtim të ndërtesës presidenciale.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku thekson se përplasjet mes partive në pushtet dhe opozitës, mund të jenë shkasi kryesor i të gjithë këtyre sulmeve.

“Në këtë përplasje politike mes dy grupacioneve politike, pushtet dhe opozitë, që kanë marrë përmasat shqetësuese, mungesa e dialogut, debateve, mungesa e dhënies së përgjegjësisë, ndodhin këto sulme në veturat e zyrtarëve kryesisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe fatkeqësisht organet e rendit dhe institucionet nuk kanë arritur deri sot të japin para opinionit sqarime se kush qëndron para këtyre akteve e dhe motivet e sulmit”, shton Maloku.

Maloku shton se mosidentifikimi i kryerësve të këtyre veprave, krijon një gjendje mjaft të brishtë të sigurisë në vend.

Sulme të dhunshme gjatë javëve të fundit ka pasur edhe ndaj veturave zyrtare të institucioneve të Kosovës dhe të veturave private të personave zyrtarë.

Gjatë javëve të fundit ishte raportuar për djegien e makinës së bashkëshortes së ministrit të Bujqësisë Memli Krasniqi dhe bashkëshortes së zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.

Veturat iu ishin djegur edhe shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, dhe shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci.

Dëmtime kanë pësuar edhe disa zyra të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, gjatë protestave të cilat ishin mbajtur në Prishtinë, persona të maskuar kishin hedhur disa shishe molotovi në shtëpinë e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

Lidhur me të gjitha këto raste, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të identifikojë personat të cilët kanë kryer këto sulme, por që në të gjitha rastet bazuar në autorizimet ligjore, thuhet se janë duke u kryer hetime intensive.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, gjatë një konference për media, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, është duke vazhduar hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në këto sulme.

“Sa i përket akteve të fundit të dhunshme kundër institucioneve të Kosovës, unë mund të ju njoftoj se tashmë Policia e Kosovës ka disa pista të sigurta të hetimit, dhe unë në asnjë mënyrë nuk do të nxitojë që me çfarëdo deklarate të ndërhyjë në një proces hetues që bën Policia e Kosovës në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, ka thënë Hyseni.

Policia e Kosovës ndërkohë ka konfirmuar se me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla kriminale, ka ndërmarrë masa shtesë me shtimin e prezencës policore të uniformuar dhe të atyre në rroba civile.

XS
SM
MD
LG