Ndërlidhjet

Demarkacioni nuk pengon rekomandimin për liberalizim vizash


Ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mbetet kriteri i vetëm ende i papërmbushur, ndër kriteret, të cilat Komisioni Evropian ka kërkuar të përmbushen nga Kosova, në mënyrë që ajo ta marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, tashmë kanë deklaruar se janë përmbushur tetë rekomandimet, të cilat ishin vlerësuar të papërmbushura në raportin e Komisionit Evropian në dhjetorin e vitit të kaluar.

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mosratifikimi deri më tash i marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës, në këtë fazë, nuk do të duhej të ishte pengesë për marrjen e rekomandimit pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian. Kjo për faktin se, sipas tij, kjo çështje vlerësohet si kriter monitorues.

“Në asnjë rrethanë, ratifikimi i kësaj marrëveshje nuk është pengesë për dhënien e rekomandimit pozitiv, në këtë fazë. Mirëpo, në fazat mëvonshme do të kërkohet edhe ratifikimi i kësaj marrëveshje, të cilën Kosova tashmë e ka nënshkruar. Mirëpo, për arsyet e ditura ne nuk kemi proceduar me ratifikim, sepse po presim që tërë procesi të rishikohet edhe një herë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që askush të mos ketë dilema sa i përket këtij procesi”, tha Çollaku.

Mosratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është rezultat i kundërshtimeve të partive opozitare, të cilat e kanë vlerësuar të pasaktë shënimin e vijës kufitare, ku siç pretendojnë ato, Kosova ka humbur një pjesë të territorit.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë ka deklaruar se për të hequr dilemat lidhur me saktësinë e shënjimit të kësaj vije kufitare, “është aprovuar puna e Komisionit Shtetëror, si dhe do të jetë edhe një komision ndërkombëtar i cili edhe njëherë do ta rivlerësojë atë punë, në pikëpamje të respektimit të procedurave të shënimit të kufirit”.

Njohësit e integrimeve evropiane, vlerësojnë se çështja e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në raportin e muajit dhjetor të Komisionit Evropian, është përmendur si kriter monitorues, i cili duhet të përmbushet deri në kohën kur Kosova duhet të hyj në të ashtuquajturën “Listën e bardhë” të Schengen-it dhe të përfitoj nga liberalizimi i vizave.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, vlerëson se rekomandimi pozitiv për liberalizim vizash nga Komisioni Evropian, është hap i ardhshëm dhe kjo duhet të shkëputet, tash për tash, nga hapi që e shënon fundin e procesit të marrjes së liberalizimit të vizave.

“Në këtë rast, rekomandimi na vjen edhe në rast se nuk është aprovuar demarkacioni. Pastaj, na mbetet neve kohë, ndoshta edhe disa muaj tjerë, që të sigurohemi që deri sa të hyj në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën, kjo çështje të përmbyllet”.

Muharremi ka shtuar se institucionet e Kosovës më tepër duhet ta kenë drojën lidhur me atë se a i kanë përmbushur vërtetë tetë kriteret tjera teknike, që kanë dalë nga raporti i fundit i Komisionit Evropian, në dhjetorin e vitit të kaluar. Çështja e demarkacionit, sipas tij, është më shumë kriter politik.

“Nga aspekti i Bashkimit Evropian, ajo do të mundohet ta përdorë çështjen e liberalizimit të vizave si instrument, si ‘karotë’ për t’i shtyrë qëllimet dhe politikat e saj. Një ndër politikat kryesore kundrejt Ballkanit Perëndimor është bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira ndërshtetërore. Andaj, çështja e demarkacionit është në këtë kontekst dhe jam shumë i sigurt që Bashkimi Evropian do të mundohet ta përfshijë në këtë rast, në mënyrë që të zgjidhet sa më shpejtë qëështë e mundshme”, shtoi Muharremi.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës tashmë kanë theksuar se presin që me 17 dhe 18 mars, në Kosovë të vijë një mision vlerësues i ekspertëve nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga zyrtarët e Komisionit Evropian, për të verifikuar gjendjen faktike në terren lidhur me përmbushjen e tetë rekomandimeve të fundit

XS
SM
MD
LG