Ndërlidhjet

SHBA - Rusi: Përplasje për testet iraniane të raketave


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përplasur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën vonë, lidhur me atë se nëse testet e raketave balistike iraniane, të kryera javën e kaluar paraqesin shkelje të një rezolute të Kombeve të Bashkuara.

Pas takimit të mbyllur të Këshillit të Sigurimit, Rusia tha se testet nuk paraqesin shkelje të rezolutës së miratuar nga këshilli, pas nënshkrimit të marrëveshjes atomike me Iranin, vitin e kaluar, i cili i bënë “thirrje” Iranit të mos lansoj asnjë raketë balistike me aftësi për bartje të kokave atomike.

Por, Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se testet e kanë shkelur rezolutën dhe duhet të imponohen sanksione shtesë nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Iranit.

Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, tha se raketat “ishin të parapara për të qenë të afta të bartin armatim atomik” dhe ka vlerësuar se testet iraniane ishin “të rrezikshme, destabilizuese dhe provokuese”.

Por, ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, tha se Rusia nuk ka parë dëshmi se raketat mund të bartin armatim bërthamor dhe rrjedhimisht, Moska nuk sheh shkejle të rezolutës 2231.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se vendi i tij “kurrë nuk ka synuar zhvillimin e aramtimit atomik dhe as që do ta synoj këtë në të ardhmen”.

Misioni theksoi se testet raketore “ishin pjesë e përpjekjeve aktuale të forcave të armatosura iraniane për forcimin e kapaciteteve të veta legjitime të mbrojtjes… kundër kërcënimit të sigurisë”.

Ambasadori rus, Vitaly Churkin, e ka shprehur qëndrimin e Moskës se nuk ekziston shkelje e bazuar në “një veçori të rëndësishme juridike”.

Në këtë kuadër ai ka shpjeguar se “thirrja dallon nga ndalesa, prandaj juridikisht ju nuk e shkelni thirrjen” dhe ka shtuar se “ju mund të bashkëpunoni me thirrje ose ju e injoroni atë, por ju nuk mund ta shkelni thirrjen”.

Ambasadorja amerikane e ka akuzuar Rusinë për një “shpjegim juridik për të kërkuar arsye për të mos vepruar në vend se të lëvizë përpara dhe të jetë e përgatitur për ta marrë përgjegjësinë kolektive” të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të siguruar se Irani do të bashkëpunoj me parimet e marrëveshjes atomike.

Ajo ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të paraqesin informacione të cilat janë bërë publike nga Irani, që tregojnë se raketat ishin të afta të bartin koka bërthamore dhe se rrjedhimisht kjo paraqet shkelje të rezolutës 2231.

“Pra, ne nuk do të heqim dorë në Këshillin e Sigurimit, pavarësisht nga loja me fjalë që e dëgjuam këtu dhe ne, po ashtu, mund të shqyrtojmë natyrisht përgjigjen tonë kombëtare përkatëse”, tha Samantha Power.

Zoti Churkin tha se nuk ka dëgjuar asnjë vërejtje nga anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit ndaj deklaratës së tij se “nuk ka shkelje juridike të rezolutës 2231” dhe se ai nuk sheh nevojë për aksion të mmëtejshëm.

Para takimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, ka kërkuar nga anëtarët e këshillit që ta kanë parasysh kërcënimin e Iranit për zhdukjen e Izraelit nga toka, që ishte shkruar në njërën anë të një rakete.

“Sikur të ishte shkruar se Anglia, Franca, Japonia, ose ndonjë vend tjetër, se duhet të zhduket nga toka, a do të qëndronte Këshilli Sigurimit i heshtur”, ka pyetur Danon.

Ai ka tërhequr vërejtjen se “injorimi i shkeljeve të Iranit i jep atij dritë jeshile për vazhdimin e testeve raketore atomike”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG