Ndërlidhjet

Ellis: Zyrtarët e Kosovës, pa imunitet para Gjykatës Speciale


Mark Ellis
Mark Ellis

"Imuniteti funksional dhe ai personal, të cilët i njeh e drejta ndërkombëtare për zyrtarët shtetëror, nuk vlejnë në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Dhomës Ndërkombëtare të Avokatëve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kohë më parë ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare me Holandën “mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës e zhvendosur në Holandë”. Me këtë ratifikim, siç ka thënë presidentja Jahjaga, Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet ndërkombëtare sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte. Kur prisni se do ta fillojë punën kjo gjykatë?

Mark Ellis: Mendoj që ende nuk është caktuar data e saktë, por konsideroj që kjo nuk do të duhej të ishte në fokus. E rëndësishme është që Kosova është e përkushtuar, siç thatë, që ta bëj këtë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Por, edhe më e rëndësishme është që Kosova, në esencë, po e porositë bashkësinë ndërkombëtare se beson që llogaridhënia mbi mosndëshkimin është parim i rëndësishëm.

Prandaj, e uroj Kosovën për këtë. Siç e dimë, vendosja e gjykatës së këtij lloji ka mjaft sfida dhe padyshim që do të ketë mjaft pengesa. Por, përderisa të ekzistojë përkushtimi i Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë për formimin e gjykatës, jam shumë optimist kur bëhet fjalë për funksionalitetin e saj si dhe për aftësinë e saj që me përgjegjësi të sjellë ndonjë rezolutë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë sfidash prisni me rastin e formimit të kësaj Gjykate?

Mark Ellis: Para së gjithash, konsideroj që në këtë situatë, ideja për formimin e gjykatës jashtë kompetencës kombëtare, me siguri që është e përshtatshme. Gjithmonë kam qenë avokat i asaj që gjykimet vendore të zbatohen nën juridiksionin, në të cilin janë kryer krimet.

Por, ekzistojnë situata kur gjykimet e tilla brenda vendit bëhen të vështira. Prandaj, më lehtë është të formohet një gjykatë hibride në një lokacion të tretë, në këtë rast në Hagë. Vet ideja e krijimit të një gjykate funksionale, mundësia për angazhimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe mbrojtësve të kualifikuar, sigurimi i mbrojtjes së dëshmitarëve - të gjitha këto janë sfida, por jo të pakapërcyeshme.

Bëhet fjalë për atë se a do të qëndrojnë në këtë Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare, deri sa kjo çështje të përfundojë. Jam i sigurt që edhe Kosova, por edhe bashkësia ndërkombëtare do ta bëjnë këtë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, a mendoni që me këtë Gjykatë do të hiqet përfundimisht ajo reja që tash e sa vite qëndron mbi Kosovën, kur bëhet fjalë për krime të luftës?

Mark Ellis: Shumë njerëz i shikojnë gjykatat ndërkombëtare në mënyrë joreale. Qoftë atëherë kur bëhet fjalë për Gjykata penale ndërkombëtare, qoftë për Gjykatat Speciale për Jugosllavinë apo Ruandën ose për disa gjykata tjera ad hock, njerëzit presin që ato t’i zgjidhin padrejtësitë historike.

Gjykatat, kryesisht, nuk mund ta bëjnë këtë, jo të vetme. Por, ato mund të luajnë rol të rëndësishëm në procesin e pajtimit dhe sjelljen e drejtësisë. Në këtë kuptim, konsideroj që Gjykata do të luaj rol të rëndësishëm, në, siç e thatë, largimin e resë së errët të historisë në rajon dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të mbështetet.

Besoj që Gjykata do të ketë sukses që vërtetë ta ndriçojë atë që ka ndodhur gjatë luftës në rajon dhe të mundësojë që të paktën disa të dalin para drejtësisë për shkak të krimeve të kryera. Mendoj se ky është një proces i shërimit që duhet të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë padish pritni të jenë të parat? Për cilat krime?

Mark Ellis: Krimet janë listuar në vet statutin e Gjykatës. Në përgjithësi, bëhet fjalë për për krime të tmerrshme ndërkombëtare. Kjo është ajo më e rëndësishmja për këto gjykata, kjo është ajo që njerëzit presin, ajo çfarë viktimat kërkojnë.

Pra, krimet e tmerrshme, qofshin ato krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe siç e dimë, disa krime vendore që janë pjesë e këtij statuti - e gjithë kjo luan rol në orientimin e vëmendjes ndaj individëve që kanë kryer krime të tilla të neveritshme.

Gjithashtu është e rëndësishme për viktimat që të kuptojnë se ata që i kanë kryer këto krime kanë dalë para drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Nga këto krime të supozuara tashmë kanë kaluar 15 deri në 17 vjet. Sa është e vështirë për prokurorinë që të arrijë deri te dëshmitë?

Mark Ellis: Kjo është çështje e rëndësishme, për shkak se e dimë që është një periudhë e gjatë kohore nga ditët kur janë kryer krimet e deri te nxjerrja e individëve paera drejtësisë dhe është e vështirë të arrihet deri te dëshmitë. Për këto shkaqe, është vështirë të arrihet deri te viktimat, te dëshmitë dhe te kryerësi i krimeve. Kështu që edhe kjo është një nga sfidat.

Por, duhet të përkujtojmë se janë zhvilluar procese të gjata, përfshirë edhe punën e Tribunalit të Hagës dhe disa gjykatave vendore, për mbledhjen e dëshmive në mënyrë që të konstatohet se janë kryer krimet dhe të konstatohen individët, të cilët supozohet se i kanë kryer ato krime. Ky është proces ligjor që përfundimisht do të zhvillohet në mënyrë që të sillet drejtësia.

Ekzistojnë sfida në këtë pikëpamje, por jam i sigurt që Gjykata do të ketë dëshmi dhe burime të mjaftueshme dhe se do ti sjellë individët para drejtësisë , ndonëse ka kaluar mjaft kohë.

Radio Evropa e Lirë: A pritni të jetë një padi që do të përfshijë më shumë individë apo më shumë padi për më shumë individë?

Mark Ellis: Ky është vendim që duhet ta sjellë Gjykata, gjegjësisht, prokurori. Kam ndjenjën se do të ketë disa padi, të ndara. Nga e kaluara, nga gjykata të ndryshme, kemi mësuar që viktimat e këtyre krimeve të tmerrshme - por edhe viktimat që nuk mund të flasin, sepse janë vrarë - kërkojnë vërtetë fokus të veçantë ndaj krimeve që kanë ndodhur në vende të caktuara.

Për këtë arsye, pres që do të ketë disa padi kundër disa individëve për krimet e kryera në në kohë të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Siç është ditur, Gjykata do të merret me krimet që kanë ndodhur pak para luftës, gjatë luftës dhe pas saj. Ato krime supozohet se i kanë kryer anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi bashkësitë etnike pakicë si dhe mbi rivalët politik. A mundet që, në këto raste, dikush të gëzojë imunitet nga ndjekja?

Mark Ellis: Çështja e imunitetit është interesante, sepse në bazë të ligjit ndërkombëtarë ekziston një standard ndërkombëtarë për imunitetin, i cili është përgjithësisht i pranuar. Ekzistojnë imunitetet funksionale dhe personale që merret me individët që në atë kohë kanë qenë në pozita të larta.

Por, siç kemi parë në gjykatat tjera dhe kjo do të ndodhë edhe në këtë Gjykatë, gjykatat ndërkombëtare ad hock, kryesisht e kanë hedhur poshtë çështjen e mosndëshkueshmërisë, si dhe kanë treguar që individët, pavarësisht nga pozita e tyre, pozita politike, duhet të dalin para drejtësisë.

Këto lloje të imuniteteve që i njeh e drejta ndërkombëtare dhe që i mbrojnë anëtarët e lartë të qeverisë gjatë kohës kur janë kryer krimet, nuk janë të vlefshme në gjykatat e këtij lloji. Kështu që nuk pres që kjo të jetë pengesë e madhe.

Radio Evropa e Lirë: Supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, në mënyrë të drejtpërdrejtë e ndërlidhin Hashim Thaçin, ish komandant i UÇK-së, me krime të caktuara. Në rast se ai do të jetë subjekt i ndjekjes - duke pasur parasysh që ai pikërisht është zgjedhur president - a e gëzon ai këtë lloj imuniteti?

Mark Ellis: Para drejtësisë ndërkombëtare, kur flasim për atë se a mundet shteti dikë ta nxjerrë para drejtësisë me kompetencë tjetër, bëhet fjalë për konceptin e imunitetit funksional që ndërlidhet me pozitën e atij personi dhe e mbron nga ndjekja për shërbimet zyrtare që ka ndërmarrë. Imuniteti personal vlen për ata që janë edhe më tej në atë funksion. Këto imunitete zakonisht vlejnë për aksionet që ndaj tij i ndërmerr një shtet tjetër.

Por, siç e thash, këto imunitete, gjegjësisht këto lloje të mosndëshkueshmërisë janë hedhur poshtë para gjykatave ndërkombëtare. Gati se secili statut i këtyre gjykatave tashmë është i qartë se nuk ekziston mosndëshkueshmëria për ish shefat apo shefat e tanishëm të shtetit, në rast se ekzistojnë argumente se ai ose ajo kanë kryer krime të tilla të tmerrshme.

Radio Evropa e Lirë: A do të merret Gjykata speciale me rastet që tashmë një herë kanë qenë para tribunalit ndërkombëtar?

Mark Ellis: Nuk jam i sigurt, por mendoj që jo. Ky do të ishte problem për shkak se individët do të gjykoheshin dy herë për të njëjtat supozime. Por, për këtë gjithashtu vendos gjykata. Mendoj se kjo është mundësi që të shqyrtohen edhe për krimet e caktuara të supozuara, të cilat kanë mbetur jashtë kompetencave të gjykatave ndërkombëtare ad hock. Kështu që, pres edhe raste të reja.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që të tronditet skena politike pasi që Gjykata të bëhet funksionale?

Mark Ellis: Vet fakti se po përkushtoheni që brenda për brenda të shihni krimet e supozuara që janë bërë dhe që i shkelin ligjet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, kjo është e rëndësishme për një shtet të ri. Kjo është e rëndësishme për popullin e tij.

Shikojeni procesin në Serbinë fqinje, ku gjyqtarët vendor dhe prokurorët po zhvillojnë gjyqe të luftës ndaj serbëve që kanë kryer krime... Ai është një proces i fuqishëm dhe në shumë mënyra ua ka hapur sytë qytetarëve kur kemi të bëjmë me krimet e kryera. Kjo, në mënyrë absolute e tronditë edhe shoqërinë. Ky proces gjyqësor, të cilin Kosova do ta fillojë në Hagë, do ta bëj të njëjtën gjë. Pa asnjë dyshim se do ta tronditë shoqërinë në të ardhmen, por kjo është gjë shumë pozitive.

Përgatiti: Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG