Ndërlidhjet

Mustafa: Dështimi me OSHP-në nuk rrezikon heqjen e vizave


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se dështimi i emërimit të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nuk rrezikon liberalizimin e vizave.

“Nuk ka asnjë arsye të rrezikohet liberalizimi, pasi që ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret e OSHP-së dhe kriteret e prokurimit. Ne, vitin e kaluar, kemi kaluar komisionin rregullativ të prokurimit publik. Kemi ndryshuar ligjin mbi prokurimin publik; nga ky vit kemi kaluar në prokurimin elektronik; po ashtu kemi përcaktuar fazat e zbatimit të prokurimit elektronik gjatë këtij viti në të gjitha agjencitë qendrore, derisa, në vitin e ardhshëm, prokurimin elektronik do ta bëjmë edhe në pushtetin lokal”, ka thënë Mustafa, pas një vizite që ka bërë në fabrikën e pijeve Frutex në Suharekë.

Ai ka shtuar se çështja e zgjedhjes së anëtarëve të OSHP-së është çështje praktike, e cila nëse nuk është kryer në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, kryhet në një ditë tjetër.

Në seancën e djeshme, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për të miratuar rekomandimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Miratimi i OSHP-së është kriter për liberalizimin e vizave.

XS
SM
MD
LG