Ndërlidhjet

Kushtetuesja miraton faljen e mashtrimit zgjedhor


Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, në seancën e së mërkurës ka vendosur me shumicë votash, ndonëse me dyer të mbyllura, për mundësinë që presidenti i vendit të amnistojë rastet që kanë të bëjnë me manipulimin e zgjedhjeve. Në këtë kategori hyn edhe mundësia e faljes për të dënuarit për pedofili, tregti me narkotikë dhe vepra të tjera penale.

“Gjykata me shumicë votash mori vendim për shfuqizimin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të ligjit për falje nga viti 2009. Periudha e ardhshme si vendim përfundimtar do të publikohet edhe në web-faqen e Gjykatës Kushtetuese”, theksohet në njoftimin e këtij institucioni.

Edhe përkundër insistimit të gazetarëve, askush nga ky institucion nuk është përgjigjur se pse mediave nuk iu lejua të marrin pjesë në mbledhjen e Gjykatës Kushtetuese, seancat e të cilit institucion gjithmonë kanë qenë të hapura për opinionin.

“Kemi marrë instruksione nga drejtuesit e këtij institucioni që të mos i lejojmë gazetarët të hyjnë brenda, sepse seanca e Gjykatës Kushtetuese është vendosur të jetë e mbyllur”, u kanë thënë gazetarëve pjesëtarë të sigurimit të këtij institucioni.

Ndaj vendimit të këtillë të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup.

“Pse Gjykata Kushtetuese ka mbyllur mbledhjen e sotme? Transparenca ka një rëndësi të veçantë për çdo institucion”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane në Shkup në Tëitter.

Ndërkohë rreth objektit së Gjykatës Kushtetuese është vërejtur prani e theksuar e forcave të policore, si dhe prania e autoblindave të njësiteve speciale të policisë.

Një grup përkrahësish të partive maqedonase në pushtet, natën e kaluan para objektit së Gjykatës Kushtetuese, siç kanë theksuar, në mbrojtje të institucioneve të shtetit.

“Kemi ardhur këtu që të mbrojmë Gjykatën Kushtetuese, çka nëse jemi përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, ne kemi besim tek gjykatat”, është shprehur një qytetar nga tabori i kundër-protestave të cilët janë shpërndarë menjëherë pas përfundimit të seancës të Gjykatës Kushtetuese.

Në të njejtën ditë, mijëra qytetarë protestuan kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese...

“Kërkojmë që menjëherë të ndërpritet iniciativa e cila u mundëson kriminelëve zgjedhorë, pedofilëve, narkodilerëve të falen nga ana e presidentit të shtetit për veprat e tyre penale".

"Njëherësh kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të pesë gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, të cilët e kanë uzurpuar këtë institucion dhe të cilët veprojnë në bazë të diktatit politik të pushtetit”, ka deklaruar para protestuesve Petrit Saraçini, aktivist për të drejtat e njeriut

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë ka shqyrtuar Ligjin për amnisti pas nismës së një avokati, pas vendimit të Prokurorisë Speciale Publike për të nisur hetimet për rastin e quajtur “Titanik”, që ka të bëjë me parregullsitë e proceseve të fundit zgjedhore, ku janë të dyshuar ish-ministra dhe zyrtarë aktualë shtetëror.

XS
SM
MD
LG