Ndërlidhjet

Dështimi i Kuvendit të Kosovës për të përmbushur një prej kritereve substanciale në procesin e liberalizimit të vizave, tregon për një deficit të theksuar politik në Kosovë, vlerësojnë njohës të integrimeve evropiane.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti që të martën, të miratojë emërimin anëtarëve të rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit, që ështe një prej kritereve në procesin e heqjes së vizave.

Edhe më paradoksale, për analistët shihet fakti që dështimi i votimit në Kuvend u bë për shkak të mungesës së harmonizimit ndërmjet dy partive në pushtet.

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane thotë se autoritetet e Kosovës nuk kanë treguar vullnet politik në përmbushjen e kritereve reale për liberalizim të vizave. Sipas tij, asnjëherë nuk është parë gatishmëri politike për të plotësuar kriteret që ndërlidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Dështimi i Parlamentit të Kosovës për të emëruar anëtarët e ri të Organit Shqyrtues të Prokurimit, por jo vetëm të kësaj, pasi që ne jemi dëshmitarë qysh nga janari i këtij viti dy herë është proceduar Ligji për prokurimin publik,që po ashtu kjo fushë konsiderohet një ndër fushat kritike, përveç këtij institucioni, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra, shihet se atje ka një deficit të theksuar politik për të përmbushur kriteret në procesin e përmbushjes për liberalizimin e vizave”, ka thënë Mazreku për Radion Evropa e Lirë.

Mazreku thotë se mungesa e vullnetit politik për të luftuar seriozisht korrupsionin, u tregua edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku nuk u arrit të votohet ky rekomandim.

“OSHP-ja është konsideruar me të drejtë si njëra nga institucionet që është okupuar nga fuqia politike ose atyre që kanë fuqi politike në Kosovë që ta përdorin këtë institucion dhe ta menaxhojnë në funksion të interesave të tyre, grupore, klanore, partiake por edhe individuale”, ka theksuar ai.

Mënyra e vetme e zgjidhjes së këtyre probleme, shton Mazreku, është gatishmëria politike, por, që siç thotë ai, fatkeqësisht ky vullnet politik nuk është duke manifestuar.

Prokurimi publik në Kosovë për vite me radhë në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend.

Një vlerësim i tillë ishte dhënë vazhdimisht në raportet e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se dështimi i emërimit të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), nuk rrezikon liberalizimin e vizave.

Vota e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetar i të cilës është kryeministri Isa Mustafa, kundër emërimeve të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ishte vendimtare.

“Nuk ka asnjë arsye të rrezikohet liberalizimi pasi që ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret e OSHP-së dhe kritere e prokurimit. Ne vitin e kaluar kemi kaluar komisionin rregullativ të prokurimit publik. Kemi ndryshuar Ligjin mbi prokurimin publik, nga ky vit kemi kaluar në prokurimin elektronik, po ashtu kemi përcaktuar fazat e zbatimit të prokurimit elektronik gjatë këtij viti në të gjitha agjencitë qendrore, derisa, në vitin e ardhshëm prokurimin elektronik do ta bëjmë edhe në pushtetin lokal”, ka deklaruar Mustafa.

Kryeministri i Kosovës ka vlerësuar se çështja e zgjedhjes së anëtarëve të OSHP-së është teknike dhe mund të kryhet në një prej seancave të radhës.

Mustafa e ka konsideruar të rëndësishëm faktin që autoritetet e Kosovës, kanë siguruar që me Ligjin mbi prokurimin publik, Organi Shqyrtues i Prokurimit do të jetë organ i pavarur dhe profesional.

Ndërkohë, gjatë një takimi që ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka pasur gjatë ditës më shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës Samuel Zhbogar, janë shprehur të zhgënjyer për mosvotimin e anëtarëve të Bordit të OSHP-së nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ata kanë kërkuar nga që institucionet përgjegjëse që kjo çështje duhet të riprocedohet brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.

Ndonëse nuk kanë marrë pjesë në seancë, edhe partitë opozitare janë përfshirë në vlerësimin e dështimit të Kuvendit për miratimin e njërit nga kritereve për liberalizim të vizave.

Sipas një qëndrimi të publikuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës “dështimi për zgjedhjen e drejtuesve të OSHP-së, është pasojë e pazareve të pa-harmonizuara ndërmjet partnerëve të Qeverisë së Koalicionit dhe dëshmi se kjo qeveri të vetmin interes e ka vazhdimin e kapjes së shtetit dhe thellimin e fuqizimin e krimit e të korrupsionit”.

Sidoqoftë, autoritetet janë zotuar se në afatin më të shkurtë kohor do ta riprocedojnë të njëjtën çështje për miratim në Kuvend.

Ndërkohë, këto ditë në Kosovë do të qëndrojë edhe një mision vlerësues i Bashkimit Evropian, pikërisht në lidhje me përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG