Ndërlidhjet

EULEX-i i reagon ministrit Kuçi për ndërhyrje politike në gjyqësor


Shefi i Misionit të EULEX-it, Gabriele Meucci
Shefi i Misionit të EULEX-it, Gabriele Meucci

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës Hajredin Kuçi i cili kishte hedhur dyshime në lidhje me një aktgjykim për krime lufte, duke i cilësuar ato si ndërhyrje politike.

“Mbrëmë, në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë (Hajredin Kuçi) ka dhënë mendimin e tij lidhur me bazueshmërinë ligjore të një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në reagimin e misionit të BE-së.

“EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike”, vijon reagimi.

Më tutje, kërkohet që “autoritetet e Kosovës të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”.

Reagimi i EULEX-it ka të bëj me vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të datës 27 maj 2015, në lidhje me rastin “Drenica” dhe sidomos me të dënuarin për krime lufte, Sami Lushtaku.

Aktakuza pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Likoc ku pretendohet më tej se ushtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile (në këtë rast shqiptarë të Kosovës), mes tjerash, duke e cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e disa civilëve, kurse për disa të pandehur të tjerë, duke e vrarë një polic serb dhe një person tjetër civil, të gjitha këto vepra pretendohet se janë kryer ndërmjet muajve qershor dhe shtator 1998.

Aktgjykimi solli si vendim që Sami Lushtaku të shpallej “Fajtor” për veprën penale Vrasje dhe u dënua me dymbëdhjetë (12) vjet burgim. Kurse Sylejman Selimi, po ashtu i shpallur fajtor për Krime të Luftës, ishte dënuar me gjashtë (6) vjet burgim.

Deklaratat e ministrit Kuçi, kishin ndikuar që të shtyhet edhe takimi i sotëm Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit, ku bëjnë pjesë përfaqësues vendor e ndërkombëtar nga fusha e sigurisë.

XS
SM
MD
LG