Ndërlidhjet

Blatter ngre ankesë kundër ndalesës në futboll


Sepp Blatter

Sepp Blatter

Ish-presidenti i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Sepp Blatter, ka ngritur ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport, kundër ndalesës gjashtëvjeçare nga futbolli.

Blatterit, 80 vjeç, i është shqiptuar ndalesa nga FIFA pasi është gjetur fajtor për shkelje të etikës.

Rasti ka të bëjë me pagesën prej 2 milionë dollarësh që Blatter i ka bërë ish-kreut të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Michel Platini.

Platini, i cili po ashtu është ndaluar nga futbolli, ka apeluar këtë vendim muajin e kaluar, po ashtu në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport.

Kjo e fundit ka konfirmuar apelin e Blatterit të enjten.

“Blatter kërkon anulimin e vendimit të marrë nga Komisioni i Apelit të FIFA-s, me të cilin ai është pezulluar nga të gjitha aktivitetet që lidhen me futbollin, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për gjashtë vjet”, ka thënë përmes një deklarate Gjykata e Arbitrazhit për Sport.

Blatter dhe Platini mohojnë çdo keqbërje.

Ata thonë se pagesa, e bërë në vitin 2011, ka pasur të bëjë me një marrëveshje xhentëlmene të vitit 1998, për punën që ka kryer Platini kur ai ka qenë këshilltar teknik i Blatterit.

Blatter ka qenë president i FIFA-s nga vitit 1998 deri vitin e kaluar, kur është dashur të japë dorëheqje për shkak të kësaj çështjeje.

Ai është zëvendësuar muajin e kaluar nga Gianni Infantino.

XS
SM
MD
LG