Ndërlidhjet

Cameronit i kërkohen shpjegime për politikat e tij në Libi


Kryeministri britanik, David Cameron (majtas) dhe presidenti i SHBA-së, Barack Obama - foto arkivi
Kryeministri britanik, David Cameron (majtas) dhe presidenti i SHBA-së, Barack Obama - foto arkivi

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, është ftuar të dalë përpara ligjvënësve që janë duke hetuar rolin e Britanisë në Libi.

Ky është një hap i pazakonshëm që pason kritikat e Shteteve të Bashkuara për rolin e tij në ndërhyrjen e vitit 2011 në Libi dhe spekulimet për një ndërhyrje të re atje.

Kreu i Komisionit për Punë te Jashtme i Parlamentit britanik, Crispin Blunt, ka thënë se ka ftuar Cameronin në “frymën e hetimeve të drejta dhe të hapura”.

Cameron shfaqet para komitetit koordinues - një mbledhje e veçantë e kryetarëve të komisioneve parlamentare - dy herë në vit, por rrallë paraqitet personalisht përpara komiteteve të tjera.

Ky veprim vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka kritikuar Cameronin dhe ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy, për humbje të interesit pas fushatës së përbashkët të bombardimeve që ka çuar në rrëzimin e udhëheqësit libian, Muammer Ghadafi, në vitin 2011.

Këtë javë, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë po ashtu është detyruar të mohojë se është duke planifikuar të zgjerojë fushatën bombarduese kundër grupit Shteti Islamik në Libi, ose të dërgojë trupa për të forcuar sigurinë atje.

Blunt, anëtar i Partisë Konservatore të Cameronit, ka thënë se shpreson që raportimi i kryeministrit të organizohet përpara përfundimit të sesionit parlamentar në fillim të majit.

Cameron nuk është i detyruar të japë prova.

XS
SM
MD
LG