Ndërlidhjet

Migrantët, Davutoglu shpreson në marrëveshje me BE-në


Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu.
Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se shpreson të arrijë marrëveshje me udhëheqësit e Bashkimit Evropian për trajtimin e krizës me migrantë.

“Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë të njëjtin qëllim, të ndihmojnë refugjatët sirianë”, ka thënë Davutoglu, përpara bisedimeve të sotme në Bruksel me kryetarin e Këshillit të BE-së, Donald Tusk.

"Jam i sigurt se do të arrijmë qëllimin tonë për të ndihmuar të gjithë refugjatët, si dhe për të thelluar marrëdhëniet BE-Turqi. Ky do të ishte lajm i mirë për kontinentin dhe njerëzimin", ka shtuar Davutoglu.

Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord për t’i ofruar Turqisë koncesione financiare dhe politike nëse ajo ndalon migrantët nga arritja në Greqi.

Pas bisedimeve në Bruksel, të cilat kanë përfunduar në orët e para të ditës së sotme, liderët evropianë i kanë dhënë Tuskut mandatin për të përfunduar marrëveshjen me Turqinë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Turqia do të pranojë prapa të gjithë migrantët që kalojnë Detin Egje dhe arrijnë në Greqi.

Në këmbim, BE-ja do të marrë refugjatë sirianë direkt nga Turqia, do t’i sigurojë asaj 6 miliardë euro ndihma dhe do të përshpejtojë negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE dhe planet për liberalizimin e vizave.

XS
SM
MD
LG