Ndërlidhjet

logo-print

Fëmijët të rrezikuar nga përdorimi i tepërt i pajisjeve teknologjike


Zhvillimi i teknologjisë dhe sidomos i telefonave të mençur ka ndikuar në rritjen e përdoruesve të tyre.

Pajisjet e reja të teknologjisë, janë joshëse për të gjithë, përfshirë edhe të rinjtë dhe fëmijët. Por, ekspertët, tërheqin vërejtjen se ekspozimi i gjatë para ekranit qoftë të një telefoni, kompjuteri apo televizori, mund të bartë pasoja për shëndetin e fëmijëve.

Naser Salihu, oftalmolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë protokoll se sa orë do duhej të qëndronin fëmijët para ekranit, në mënyrë që të mos dëmtohen sytë. Por, në çdo rast, ai nuk e përjashton mundësinë që ekspozimi i tepërt ka efekte negative.

“Çdo fëmijë duhet të kontrollohet te mjeku oftalmolog për ta përcaktuar a ka ndonjë nevojë që të korrigjohet me syza dhe me kohë të zgjidhet problemi. Nëse fëmija ka këso probleme dhe kalon një kohë të gjatë para ekraneve, dëmtimi tek ai është më i madh”.

‘’Një tjetër çështje është rrezatimi direkt i ekranit në sytë e fëmijëve, andaj nuk preferohet që një pjesë e madhe e kohës të kalohet para ekranit”, thekson ai.

Fëmijët me probleme në sy, vijon oftalmologu Naser Salihu, duhet shmangur sa më shumë ekspozimit para ekraneve.

“Ne nuk kemi statistika se a është rritur numri i fëmijëve me dëmtime në sy për shkak të ekranit”, thotë ai.

Ndërkaq sa i përket anës psikologjike, qëndrimi para ekranit, sipas psikologëve sjell pasoja mjaft të mëdha.

Psikologu Besnik Peci, thotë se pos tjerash, niveli i socializmit tek fëmijët dëmtohet në masë të madhe, nëse ai qëndron para ekranit për një kohë shumë të gjatë.

‘’Prindërit duke dashur ta shfrytëzojnë kohën për vete, ata prodhojnë një kohë kuantitative për fëmijët e tyre dhe ekspozimi i shumtë ndaj ekranit ndikon negativisht në zhvillimin e tyre si në aspektin fizik ashtu edhe në dëmtimin e syve. Po ashtu ndikon edhe në aspektin e koncentrimit dhe nivelin e ulët të socializmit pasi që nuk kanë kontakt me fëmijët tjerë”, thekson Peci.

Sipas sociologëve, janë disa faktorë që alarmojnë që duhet të koordinohet dhe menaxhohet koha e fëmijëve para ekraneve, pasi që niveli i koncentrimit bie, ndërkohë që rritet egoizmi dhe dëmtohet në shkallë të lartë niveli i socializimit.

Edhe vetë prindërit e fëmijëve duken të jenë të shqetësuar për fëmijët e tyre, duke parë se sa shumë kohë ata kalojnë para ekraneve.

“Mendoj se sot, pothuajse çdo fëmijë kalon shumë kohë i ekspozuar ndaj ekraneve, qoftë TV, Ipad, apo ndonjë mjet tjetër elektronik, dhe mendoj se s’mund të mos jetë e dëmshme nëse qëndrojnë shumë gjatë. Pastaj, problemi tjetër është se lojërat si dhe filmat e ndryshëm për fëmijë tash nuk janë edhe shumë të kontrolluara dhe gjithashtu jo adekuate për moshat e caktuara, të cilët fëmijët nuk i zgjedhin, por i shikojnë”, thotë Burim Doli, një prind nga Prishtina.

Ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj mjeteve teknologjike, ka qenë temë debati edhe në shumë vende, ku janë ngritur shqetësime për efektet negative që ka në raport me shëndetin e fëmijëve.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG