Ndërlidhjet

logo-print

Salah Abdeslam së shpejti pritet të ekstradohet në Francë

  • RFE /RL

Pamje nga bastisja e 18 marsit në Bruksel

Pamje nga bastisja e 18 marsit në Bruksel

I dyshuari që po akuzohet për përfshirje në sulmet terroriste të nëntorit në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona, është transferuar nga një spital në Belgjikë dhe pritet të kthehet së shpejti në Francë.

Salah Abdeslam, 26 vjeçar, është marrë në pyetje të shtunën nga policia belge, një ditë pasi u lëndua lehtë gjatë një bastisjeje policore.

Avokati i Abdeslam tha të shtunën se ai është duke bashkëpunuar me policinë, por do ta refuzojë ekstradimin e tij në Francë.

“Ai po bashkëpunon me policinë belge”, tha Sven Mary para reporterëve në Bruksel. “Franca po kërkon ekstadimin e tij. Unë mund të them se ai do ta refuzojë këtë gjë”, ka thënë avokati.

Zyrtarët francezë pritet të dorëzojnë një kërkesë për ekstradim të përshpejtuar. Një prokuror belg i tha agjencisë së lajmeve, AFP, se nëse Abdeslam fillon të flasë me policinë belge, kjo gjë mund ta shtyejë ekstradimin e tij.

“Por, herët ose vonë, ai do të ekstradohet në Francë”, ka thënë prokurori Eric Van der Sypt.

Salah Abdeslam dhe disa të dyshuar të tjerë u arrestuan të premten në kryeqytetin belg. Zyrtarët thonë se të dyshuarit u arrestuan gjatë një operacioni policor në zonën Molenbeek të Brukselit.

Prokurorët thonë se Abdeslam ishte lënduar lehtë, kur ishte gjuajtur në këmbë, në kohën kur policët po hynin në ndërtesë.

“Është një rezultat shumë me rëndësi në betejën për demokraci, për vlerat të cilat ne i përfaqësojmë”, ka thënë kryeministri i Belgjikës, Charles Michel.

Ai i dha këto komente duke folur në Bruksel përkrah kryeministrit të Francës, Francois Hollande, i cili tha se ekstradimi i Abdeslam do të bëhej “sa më shpejt që është e mundur”.

Hollande gjithashtu tha se niveli i kërcënimeve të sigurisë është “shumë i lartë” dhe se “shumë më tepër njerëz” sesa ishte menduar në fillim janë të përfshirë në sulmet e Parisit, që lanë më shumë se 130 njerëz të vrarë.

Michel gjithashtu tha se tre të dyshuar janë arrestuar gjatë aksionit policor. Por, një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit Federal, Thierry Werts, tha se përveç Abdeslam dhe një të dyshuari tjetër, autoritetet po i mbajnë edhe tre anëtarë të një familjeje që e kishte strehuar Abdeslamin.

Më herët, prokurorët belgë kishin thënë se shenjat e gishtërinjëve të Abdeslamit ishin gjetur në një apartment në Bruksel, i cili ishte bastisur më 15 mars, por thanë që nuk mund të jepej ndonjë datë e saktë se kur janë lënë ato shenja.

Nga ana tjetër, ministri francez i Punëve të Brendshme, Bernard Cazeneuve tha se arrestimi i Abdeslam dhe katër të dyshuarve të tjerë është një “goditje e madhe” për rrjetin e militantëve të Shtetit Islamik që vepron në Evropë.

Vetëm njëri nga të dyshuarit e sulmeve të Parisit, Mohamed Abrini, mbetet ende i lirë.

Cazeneuve tha se 74 njerëz “që kanë lidhje me aktivitetet terroriste” janë arrestuar në Francë që nga fillimi i këtij viti.

“Përpara nivelit të kërcënimit që vazhdon të jetë ende shumë i lartë, [këto rezultate] janë inkurajim për t’i ndjekur përpjekjet tona”, ka thënë ai.

Përndryshe, Abdeslam kishte jetuar në Molenbeek para sulmeve të 13 nëntorit në Paris, përgjegjësinë për të cilat e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Si shtetas frances, i lindur në Bruksel, ai dyshohet se ka luajtur rolin kryesor në operacionin e sulmeve.

Abdeslam besohet se ishte kthyer në Belgjikë menjëherë pas sulmeve, në të cilat vëllau i tij Brahim, e kishte hedhur vetën në erë.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG