Ndërlidhjet

Liderët iranianë me këndvështrime të ndryshme për ekonominë

  • RFE /RL

Iran -- Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei(majtas) dhe presidenti i Iranit, Hassan Rohani

Iran -- Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei(majtas) dhe presidenti i Iranit, Hassan Rohani

Dy liderët më të fuqishëm të Iranit kanë paraqitur pikëpamjet e tyre të ndryshme për ekonominë e vendit, në fjalimet e tyre gjatë shënimit të Norouzit, Vitit të Ri Persik.

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei bëri thirrje për vetëmbështetje, përderisa presidenti Hassan Rohani tha se bashkëpunimi me vendet e tjera është çelësi i rritjes ekonomike të Iranit.

Khamenei tha se investimet e huaja do të ndihmojnë vetëm nëse përdoren për ta zhvilluar industrinë e brendshme të vendit.

Irani ende përballet me vështirësi gjatë punës me bankat e huaja dhe me sistemin ndërkombëtar financiar, për shkak të politikave amerikane, edhe pas tërheqjes së sanksioneve bërthamore, ka thënë lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

“Në vendet perëndimore dhe ato që janë nën ndikimin e SHBA-ve, transaksionet tona bankare dhe riatdhesimi i fondeve tona nga bankat e tyre hasin në probleme, sepse ato banka u druhen amerikanëve”, ka thënë Khamenei, gjatë një adresimi televiziv, me rastin e shënimit të Vitit të Ri Persik.

“Amerikanët nuk po u përmbahen premtimeve të tyre dhe i kanë tërhequr sanksionet vetëm në letër”, ka shtuar ai.

Ndërsa në një mesazh tjetër, të transmetuar menjëherë pas fjalimit të Khameneit, presidenti i Iranit, Hassan Rohani tha se “me bashkëpunim dhe angazhim brenda vendit, dhe një bashkëpunim konstruktiv me botën, ekonomia jonë do të lulëzojë dhe zhvillohet.”

Lidhur me këtë temë ka folur edhe presidenti amerikan, Barack Obama, gjatë adresimit të tij të përvitshëm, përmes një video mesazhi, me rastin e festës së Norouzit, Vitit të Ri Persik.

Ai ka thënë se përfitimet nga marrëveshja bërthamore me Iranin janë “të pamohueshme”, edhepse mund të marrë kohë deri sa njerëzit të fillojnë e t’i shijojnë ato.

Obama tha se marrëveshja i mundëson Iranit ribashkim në ekonominë botërore, përmes rritjes së tregëtisë dhe investimeve, duke krijuar vende të reja të punës dhe mundësi për iranianët që t’i shesin produktet e tyre kudo në botë.

Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë ende ‘dallime të thella’ me Iranin, por theksoi faktin se vendet janë duke biseduar rregullisht për herë të parë pas disa dekadash, gjë që mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre dallimeve.

Të gjitha sanksionet ndërkombëtare që lidhen me programin bërthamor të Iranit u tërhoqën në muajin janar, pas marrëveshjes historike ndërmjet Teheranit dhe fuqive të mëdha botërore, të arritur në korrik të vitit 2015.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG