Ndërlidhjet

Havana: Vizitë historike e presidentit amerikan në Kubë


Presidenti amerikan, Barack Obama, të dielën vonë ka arritur në Kubë, në nisje të vizitës historike, e para nga ndonjë president amerikan në 88 vjetët e fundit, që është edhe një hap madhor në përmirësimin e raporteve prej revolucionit të Fidel Castros, në vitin 1959.

Zyrtari më i lartë kuban që e priti zotin Obama në aeroportin e Havanës, ishte ministri i jashtëm, Bruno Rodriguez Parilla.

Presidenti Obama, së pari, në një hotel në kryeqytetin Havanë, është takuar me personelin e ambasadës së hapur rishtas të Shteteve të Bashkuara.

“Ishin afro 90 vjet prej se presidenti amerikan zbriti në këmbë në Kubë. Është mbrekulli të jesh këtu. Në vitin 1928 presidenti Coolidge arriti me luftanije dhe iu nevojitën tri ditë të arrijë këtu, ndërsa për mua ishin të nevojshme vetëm tri orë”, tha presidenti, Barack Obama.

Calvin Coolidge, të cilin e përmendi Obama, ishte presidenti i 30 –ti i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Obama ka vlerësuar se kjo “është vizitë hsitorike”.

“Për të parën herë deri tash, aeroplani Air Force One ka ateruar në Kubë dhe kjo është ndalja jonë e parë. Pra, kjo është vizitë historike dhe paraqet mundësi historike për angazhim direkt me popullin e Kubës dhe për të arritur raporte të reja dhe marrëdhëne komerciale dhe për të krijuar lidhje të reja ndërmjet dy popujve tanë. Në këtë mënyrë unë e paraqes vizionin tim se e ardhmja është më e ndritshme se e kaluara”, tha Barack Obama, duke folur para personetlit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Pas këtij takimi, Obama dhe familja e tij shetitën këmbë nëpër Havanë, përkundër shiut të madh.

Gjatë qëndrimit të tij 48 orësh në Kubë, presidenti Obama takohet me presidentin, Raul Castro, dhe me disidentët politikë.

Megjithatë, një protestë e djeshme e disidentëve në Havanë u ndërpre me dhunë nga autoritetet, vetëm disa orë para arritjes së Obamës, ndërsa afro 50 vetë janë arrestuar.

Prej se presidenti kuban, Raul Castro, dhe presidenti amerikan, Barack Obama, biseduan gjatë me telefon në dhjetor të vitit 2014, Havana dhe Uashigntoni i kanë ripërtrirë lidhjet diplomatike, kanë nëshkruar marrëveshje të telekomunikimit dhe janë pajtuar për orarin e shërbimeve të kompanive ajrore.

Por, mbesin edhe dallime madhore, përfshirë embargoja ekonomike 54 vjeçare e Shteteve të Bashkuara kundër Kubës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG