Ndërlidhjet

Subjektet ekonomike bëjnë pak për bizneset


Udhëheqës të kompanive tregtare dhe prodhuese në Kosovë japin vlerësime të ndryshme sa i përket mbrojtjes së interesave të këtij komuniteti nga subjektet ekonomike që veprojnë në Kosovë ose adresimin e kërkesave të tyre në institucionet kompetente.

Në Kosovë janë themeluar shumë subjekte, shoqata e klube që thuhet se mbrojnë interesat e komunitetit të biznesit.

Roli i këtyre organizatave nuk ka ndonjë ndikim pozitiv tek sektori i prodhimit, shprehet Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, kompani kjo që është anëtare e disa asociacioneve ekonomike.

“Këto subjekte kërkojnë shumë informata, takime, tryeza, diskutohet shumë, por nuk bëhet asgjë konkrete. Ne shumë herë deri më tani kemi paraqitur kërkesa tek këto organizata, por asnjëherë nuk janë zgjedhur. Madje në disa nga këto organizata më shumë trajtohet sektori i tregtisë dhe jo ai prodhimit”, thotë Kosumi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, Shaqir Palushi, konsideron se roli i këtyre organizatave ka filluar të përmirësohet karshi sektorit privat.

“Gjithmonë kërkesat tona janë në përmirësim të reformave fiskale, kur dihet se prodhuesi në Kosovë nuk është i barabartë në raport me prodhuesit në rajon".

‘’Natyrisht që jo shumë probleme kanë arritur të zgjidhen, por mendoj se gjërat kanë filluar të lëvizin dhe çdo herë e më tepër po dëgjohet zëri i prodhuesit edhe tek institucionet. Më herët ka qenë problem edhe të vendosim kontakte me këto institucione, kurse tashmë është tejkaluar, përmes këtyre organizatave”, thotë Palushi

Por, udhëheqësi i kompanisë tregtare dhe prodhuese “Elkos Group” Ramiz Kelmendi, shprehet se trajtimi i bizneseve nga asociacionet varet edhe nga kërkesat e komunitetit të biznesit.

Ai ndërkaq konsideron se në radhë të parë nevojitet një bashkëpunim më i shtuar në mes Qeverisë së Kosovës dhe asociacioneve ekonomike.

“Duhet të kthehet besimi tek komuniteti i bizneseve, se kërkesat e asociacioneve ekonomike janë kërkesa të bizneseve dhe nuk duhet të jetë element, shtimi i asociacioneve për tu realizuar kërkesat e arsyeshme të bizneseve”, thotë Kelmendi.

Në Kosovë funksionon Oda Ekonomike e Kosovës, ajo amerikane, gjermane, turke, pastaj Aleanca Kosovare e Biznesit, dhe se fundi është themeluar edhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Anëtarësimi i bizneseve në këto subjekte është vullnetar, por sipas afaristëve duhet paguar nga 200 deri në 3000 euro në vit, varësisht nga asociacioni.

XS
SM
MD
LG