Ndërlidhjet

Kajtazi: Po, kryeministri më kërcënoi


“Kryeministri Isa Mustafa me një ton kërcënues më ka thënë se do ta paguaj shtrenjtë”, shpjegon Vehbi Kajtazi, gazetar i gazetës online Insajderi, kërcënimin të cilin pretendon se ia ka bërë kryeministri Mustafa. Në bisedën me Radion Evropa e Lirë, Kajtazi thotë se numri, me të cilin është thirrur përmes Viberit është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, se është i kryeministrit. Ai thotë se rastin e ka raportuar në polici.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri Isa Mustafa në intervistën për Radion Evropa e Lirë ka thënë se nuk ka pasur kërcënime dhe e gjithë ajo që mund të thotë është se qëndron ajo çfarë ka shkruar në Facebook, të dielën...

Vehbi Kajtazi: Zoti Mustafa nuk e mohoi që më ka thirrur në telefon, në intervistën që sapo e dëgjuam. E vërteta është se zoti Mustafa më ka telefonuar dhe me një ton tepër kërcënues më ka thënë se do ta paguaj shumë shtrenjtë këtë dhe më ka fyer me shprehjen “qen bir qeni”. Kjo është e vërteta e komunikimit tim me zotin Mustafa, dje, nëpërmes telefonit.

Radio Evropa e Lirë: Keni arritur të ruani diçka nga kjo bisedë?

Vehbi Kajtazi: Po. Më ka telefonuar me Viber. Është koha kur më ka telefonuar, sa ka zgjatur biseda dhe mesazhi që i kam shkruar unë atij (pas bisedës). Pastaj, konfirmimin e kam marrë dhe se bëhet fjalë për numrin e kryeministrit, i cili është në shfrytëzim prej tij.

Radio Evropa e Lirë: Kush ua ka dhënë konfirmimin?

Vehbi Kajtazi: Zoti (Arban) Abrashi (Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale), zëdhënës i qeverisë.

Radio Evropa e Lirë: Ai e ka konfirmuar?

Vehbi Kajtazi: Po.

Radio Evropa e Lirë: Krejt kjo situatë, a është raportuar në polici?

Vehbi Kajtazi: Po. Unë pak më herët kam dalë prej policisë, ku e kam raportuar rastin si kanosje. Me këtë incident tashmë po merren krimet e rënda të Policisë së Kosovës, të cilët me një seriozitet goxha të madh i janë qasur këtij incidenti.

Më kanë këshilluar të mos flas publikisht më për incidentin për shkak se kjo mund të ndikojë në hetim. Megjithatë, unë nuk po them asgjë më shumë se sa atë që e kam thënë dje rreth kësaj ngjarjeje.

XS
SM
MD
LG