Ndërlidhjet

logo-print

Të korruptuarit e profilit të lartë, të paprekshëm


Mungesa e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë është i ndërlidhur me ndërhyrjet politike dhe neglizhencën e prokurorëve.

Kështu thuhet në një raport të cilin e ka publikuar Instituti Kosovar për Zhvillim të Politikave [KIPRED].

Në raport thuhet se presioni ndaj prokurorëve është i drejtpërdrejtë ose ai shfaqet nëpërmjet fushatave të ndryshme në media.

Ariana Qosaj - Mustafa drejtoreshë e programit dhe hulumtuese e lartë në [KIPRED] thotë se përpjekjet e institucioneve shtetërore të Kosovës për të luftuar këtë dukuri kanë prodhuar rezultate të turpshme për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe performances së dobët të institucioneve të sundimit të ligjit.

"Në rastet që kanë qenë më problematike kemi pas veprime që kanë qenë taktike. Ne i kemi quajtur ashtu për arsye se kemi menduar se ofrimi i drejtësisë në këto raste ka qenë taktik për shkak se i dini rastet e parashkrimit të hetimeve që janë përmendur për shembull rasti i KEK-ut, ku është i përfshirëdo të thotë një person i profilit të lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, pastaj kemi pasur rastet me furnizim me armë të Policisë së Kosovës dhe rastin e hetimeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar për lojërat e fatit "Apex", tha Qosja - Mustafa.

Qosja thotë po ashtu se fazat fillestare të hetimeve shpesh rrjedhin si informacion nëpërmjet artikujve të botuar në mediat publike, duke rritur në këtë mënyrë presionin publik ndaj prokurorëve të caktuar.

Për këtë arsye, sipas saj, prokurorët shpesh me vetëdije vendosin që të mos merren me raste të mëdha.

"Duhet të hiqet kjo pasiguri juridike dhe duhet të lëshohet një qarkore e re e cila do të duhej të bëjë një interpretim të ri të kësaj situate sepse me të vërtet është situata problematike e posaçërisht nëse flasim për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë", është shprehur ajo.

Drejtoresha e programit dhe Hulumtuese e lartë në KIPRED thotë se ngjashëm me shërbimet prokuroriale, edhe gjykatat kanë pasur pengesa në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

"Politika ka qenë ajo që në njëfarë mënyre e ka garantuar vetveten që të mos hetohet për shkak të pushtetit që kanë pasur. Nëse shikojmë në Agjenci Kundër Korrupsionit, pasurinë e deklaruar, kemi shuma marramendëse të cilat janë krijuar. Nëse krahasohen ato nga viti 2011 deri në vitin 2015 ajo është një pasuri e cila është e pashpjegueshme", tha Qosja - Mustafa.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë deri më tani është vërtetuar se vetëm qytetarët e rëndomtë, mund të ndiqen për vepra të vogla penale, kurse ka munguar, siç thotë ai, ndjekja penale e personave të profileve të larta të dyshuar për përfshirje në afera korruptive.

“Deri më tani ka munguar në të gjitha aspektet vullneti politik për të luftuar korrupsionin në Kosovë, por fatkeqësi e madhe është që ka munguar tek ata që janë zbatues të ligjit, në këtë rast prokurorët dhe gjykatësit, të cilët kanë mandat që të bëjnë ndjekjen dhe gjykimin e fenomenit të korrupsionit”, thekson Musliu.

Në mënyrë që të përmirësohet lufta kundër korrupsionit të profilit të lartë në veçanti, KIPRED rekomandon që prokurorët specialë të rrisin transparencën dhe llogaridhënien, ndaj publikut në rastet e përndjekjes penale të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë.

Sipas KIPRED, autoritetet e drejtësisë duhet të veprojnë në suazat e legjislacionit të tanishëm, për luftimin e korrupsionit, përfshirë këtu dhe korrupsionin e profilit të lartë dhe që autoritetet në vendim-marrje politike, të tregojnë vullnet të qartë për të luftuar korrupsionin e profilit të lartë.

Në raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Transparency International, që masin perceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG