Ndërlidhjet

"Shpresë e re" për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Kubë

  • RFE /RL

Havana, 21 mars 2016.

Havana, 21 mars 2016.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ndodhet për vizitë historike në Kubë.

Ai është presidenti i parë amerikan që viziton këtë vend qysh nga revolucioni i vitit 1959, i cili ka pasuar me dekada të armiqësisë midis dy vendeve.

Obama ka takuar presidentin e Kubës, Raul Castro, me të cilin ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për media.

Castro ka thënë se SHBA-ja dhe Kuba do të bashkëpunojnë në disa fronte, veçanërisht në tregti.

Ai ka thënë se dy vendet duhet ta bëjnë praktikë “artin e bashkëjetesës së qytetëruar”.

Castro po ashtu ka thënë se embargoja tregtare dhe prania e SHBA-së në Guantanamo janë pengesa për marrdhënie normale. Në Guantanamo, SHBA mban një burg ushtarak.

Duke folur në të njëjtin takim me gazetarë, Obama ka thënë se kjo është koha e “shpresës së re për të ardhmen”.

Ai ka falënderuar homologun kubanez për “frymën e çiltërsisë” në bisedimet e tyre.

Obama ka pranuar se marrëdhëniet me Kubën nuk do të transformohen brenda natës, por ka thënë se është i gatshëm të ndjekë lidhjet komerciale, të cilat prodhojnë vende pune për amerikanët dhe kubanezët njësoj.

Për dekada me radhë, SHBA-ja dhe Kuba nuk kanë pasur raporte. Kjo gjendje është shkaktuar nga rrëzimi i diktatorit kubanez, Fulgencio Batista, nga lideri komunist, Fidel Castro, më 1959. Batista ka gëzuar mbështetjen e SHBA-së.

SHBA më pas ka ndërprerë marrëdhëniet me Kubën dhe ka vendosur embargo tregtare.

Por, Obama, dy vjet më parë, ka zhvilluar bisedime të fshehta, të cilat kanë çuar në njoftimin se dy vendet do të rivendosin marrëdhëniet diplomatike.

Qysh në dhjetor të vitit 2014, ka pasur disa momente simbolike, të tilla si takimi i parë formal midis presidentëve Obama dhe Castro në një samit rajonal në Panama dhe hapja e ambasadave përkatëse në Havana dhe Uashington.

Shumë kubanezë shpresojnë se ekonomia e tyre do të marrë një shtysë të re nga hapja dhe investimet amerikane. (v.tela)

XS
SM
MD
LG