Ndërlidhjet

Agjencia e të hyrave zbut nivelin e ekonomisë në të zezë


Unifikimi i sistemit të mbledhjes së të hyrave për buxhetin e Kosovës, do të sjell rezultate efektive në luftën kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë së zezë, vlerësojnë ekspertët dhe ish përfaqësues të Doganave të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës ditë më parë kanë miratuar bashkimin formal të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganave të Kosovës (DK) në një agjenci të përbashkët të të hyrave.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, kanë deklaruar se pas krijimit të bazës ligjore ku parashihet hartimi dhe aprovimi i ligjit për themelimi dhe funksionimin e kësaj agjencie, menjëherë parashihet të fillojë bashkimi formal i këtyre dy institucioneve.

Ndërkohë, funksionalizmi i kësaj agjencie, pritet të bëhet në janar të vitit 2017.

Ish drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ideja për themelimin e kësaj agjencie të mbledhjes së të hyrave ka qenë e kahmotshme, dhe se ajo do të sjellë përfitime për bizneset.

“Nëse këto dy institucione, Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës do të shkriheshin në dy të vetme, pritjet janë se bizneset do të përfitonin, por edhe vet Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Financave do të kishte më të lehtë të realizonte luftimin kundër evazionit fiskal dhe shmangien e tatimeve tjera të cilat ndodhin në Kosovë”, thekson Huruglica.

Qeveria e Kosovës ka vite që ka vendosur në prioritetet e politikave të saj, parandalimin e ekonomisë joformale.

Ekonomia joformale në Kosovë, sipas qeverisë vendore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, arrinë deri në 33 për qind.

Kjo, përkthyer në shifra, i bie që 400 deri në 500 milionë euro në vit nuk arkëtohen në buxhetin e shtetit.

Eksperti i fushës së ekonomisë, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se krijimi i një agjencie për mbledhjen e të hyrave në aspektin hierarkik, nuk do të ketë ndonjë ndryshim, ndërsa në aspektin praktik, do të bëhet një identifikim më i qartë i kompetencave.

“Unifikimi i sistemit të mbledhjes së të hyrave për arkën e shtetit do të sjell rezultate efektive në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër evazionit fiskal dhe ekonominë në të zezë dhe rrit buxhetin e shtetit, përveç kësaj unifikimi i sistemit të taksave është edhe shkurtimi i procedurave burokratike në rastin e pagesave të taksave”, thotë Gashi.

Naim Gashi, shton po ashtu se krijimi i një Agjencie për mbledhjen e të hyrave është një praktikë e Bashkimit Evropian, kriter i përcaktuar që duhet të praktikojnë institucionet vendore.

Ndryshe, krijimi i kësaj agjencie të përbashkët të të hyrave, sipas institucioneve të Kosovës, bazohet në nevojën për përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve, rritjen e efikasitetit në mbledhjen e tatimeve dhe zvogëlimin e kostove gjatë këtij procesi.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG