Ndërlidhjet

Tuberkulozi, sëmundje që shqetëson ende Kosovën


Sëmundja e tuberkulozit, ndonëse nga viti në vit po shënon rënie e numrit të të prekurve, vazhdon të mbetet shqetësuese në Kosovë. Bazuar në të dhënat që prezantojnë profesionistët shëndetësorë, gjatë vitit 2015 janë zbuluar 720 raste, që krahasuar me vitin 2014 shënon rënie prej 3.4 për qind.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se patologjia e sëmundjes së tuberkulozit në krahasim me rajonin, ende është shumë e shprehur në Kosovë.

“Ne do të përkrahim punën e profesionistëve shëndetësorë dhe kemi fituar edhe grante prej fondit global me shumë prej 5 milionë euro për tre vjet. Kemi marrë përsipër që edhe ne si ministri të blejmë fillimisht barnat që shërbejnë për trajtimin e fazave fillestare të sëmundjes si dhe reagenca, që shërbejnë për hulumtim të sëmundjes".

"Nga viti 2017 kjo sëmundje do të jetë komplet barrë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ne përmes koordinatorëve jemi në rrjedhë, lidhur me luftimin e sëmundjes së tuberkulozit në rajon dhe Evropë", ka thënë Rrahmani.

Ndërkohë, pulmologu Gazmend Zhuri, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për projekte të tuberkulozit në Kosovë ka bërë të ditur se Kosova hyn në numrin e shteteve me shkallë mesatare të rasteve me tuberkuloz.

‘’Programi anti-tuberkuloz përkrahet prej Fondit Global, por edhe prej Ministrisë së Shëndetësisë. Kosova hyn në numrin e shteteve me shkallë mesatare të rasteve me tuberkuloz, me një program të mirë, por që duhet të luftohet deri në rastin e fundit".

"Sipas njerëzve në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në botë më së shumti problem paraqet tuberkulozi rezistent në barna, ku paraqitet në Evropën lindore dhe në Evropë në përgjithësi’’, ka theksuar Zhuri.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, drejtori Naser Ramadani thotë se aty përcillet vazhdimisht situata epidemiologjike, ku tuberkulozi është vënë në theks të vaçantë dhe prioritet më të madh, në parandalimin e sëmundjes dhe mbajtjen nën kontroll.

“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka vërejtur se situata është më e qetë, pasi që çdo vit po shënohen më pak raste. Por, kjo nuk nënkupton që nuk duhet të përcillet në vazhdimësi duke ulur sa më shumë raste. Gjithashtu duke vetëdijesuar qytetarët që duhet të lajmërohen tek mjeku me kohë për diagnostikim në raste të dyshimta të sëmundjes’’, ka thënë Ramadani.

Shkaktarët që çojnë më së shumti tek sëmundja e tuberkulozit ndërlidhen me mjedisin dhe zhvillimin ekonomik. Naser Ramadani flet sidomos në lidhje me kushtet dhe rrethanat e jetesës në Kosovë që ndikojnë në përhapjen e kësaj sëmundjeje.

“Gjendja e rëndë ekonomike dhe varfëria në Kosovë e bëjnë të veten dhe mund të sëmuren persona për shkak të ushqimit të dobët, imunitetit të dobët dhe ne kemi dhënë prioritet në këtë drejtim edhe në ngritjen e standardeve të jetesës së popullatës”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik sa i përket analizimit të gjendjes shëndetësore, ky institut ka kapacitete ekzistuese që ta monitorojë tuberkulozin, pasi që, sipas tyre, tashmë kjo sëmundje është e njohur dhe ekzistojnë të dhëna për të.

XS
SM
MD
LG