Ndërlidhjet

Kuvendi falënderon NATO-n dhe rikujton viktimat e Brukselit


Arkiv - Kuvendi i Kosovës
Arkiv - Kuvendi i Kosovës

Në 17 vjetorin e nisjes së sulmeve ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, Kuvendi i Kosovës u ka shprehur falënderime NATO-s dhe aleatëve për fushatën që solli deri te liria e Kosovës. Njëherësh, është shprehur zotimi që sot, kur bota po kërcënohet nga terrorizmi, Kosova të rreshtohet në krah të vendeve demokratike – perëndimore dhe kundër ekstremizmave e terrorizmit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se 24 marsi është një ditë historike, kur NATO sulmoi caqet ushtarake serbe të cilat po kryenin masakra mbi popullin shqiptar.

“Shprehim falënderimet më të sinqerta për NATO-n, e po ashtu marrë parasysh ngjarjet e fundit, shprehim ngushëllimet për vendet që po goditen nga sulmet terroriste”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pasi që ka shprehur keqardhje për viktimat e sulmeve terroriste, siç ishin ato në Bruksel, ka shprehur zotimin e Kosovës si shtet i rreshtuar në krah të vendeve demokratike.

Mustafa ka ftuar të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët janë në frontet e luftës në Siri e Irak, që të kthehen dhe të largohen nga kjo luftë e pakuptimtë, duke ritheksuar se Kosova është e orientuar që të jetë e rreshtuar kah vlerat demokratike.

Kuvendi ka nisur punimet me një minutë heshtje, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Bruksel.

Ndryshe, sot shënohet shtatëmbëdhjetë vjetori i sulmeve ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sulmet filluan më 24 mars të vitit 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana.

Bombardimet mbi caqet serbe në ish-Jugosllavi, nga aviacioni i NATO-s, shënuan fillimin e përfundimit të agonisë së shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Serbisë.

Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe e pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Pas bombardimeve u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe në vendet tjera të botës.

Mbi 12 mijë të vrarë, 2 mijë persona të pagjetur dhe mbi 800 mijë persona të dëbuar nga Kosova, ishte bilanci në njerëz i konfliktit në Kosovë.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Holokaustit, pati deklaruar se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Misioni paqëruajtës i NATO-s, KFOR-i, ende qëndron në Kosovë dhe ndihmon në transformimin e mëtutjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG