Ndërlidhjet

logo-print

Vetëm para një viti, lagjja Molenbek e Brukselit ishte shumë pak e njohur në përmasa botërore. Por, pas sulmeve në Paris më 13 nëntor të vitit 2015 dhe sulmeve me bomba më 22 mars në Bruksel, emri i kësaj lagjeje është bërë sinonim për problemin e Evropës me terrorizmin islamik të zhvilluar brenda.

Gjurmët e sulmeve në Paris dhe në Bruksel çonin kah kjo lagje e lënë pasdore me afro 95 mijë banorë, vetëm disa minuta nga qendra e Brukselit, që është kryeqytet i Belgjikës dhe qendër e selisë së Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Së paku tre sulmues në Paris janë nga lagjja Molenbek, ndërsa njëri prej tyre, ideologu i dyshuar, Salah Abdeslam, me sukses është feshur aty për muaj të tërë, para se të arrestohej para disa ditësh, saktësisht më 18 mars.

Vëllezërit Khalid dhe Ibrahim El Bakraoui, që nga policia konsiderohen se i kanë ndërmarrë sulmet vetëvrarëse në Bruksel, po ashtu, kanë lidhje me Abdeslamin dhe rrjetin e tij me seli në Molenbek.

Pra si u shndërrua Molenbek në qendër të ekstremistëve militantë islamikë në Evropë dhe çfarë mësimesh dalin nga kjo lagje lidhur me luftën kundër terrorizmit? Në vazhdim i paraqesim disa nga shkaqet e mundshme.

Izolimi

Molenbeku mund të jetë vetëm pak minuta udhëtim nga qendra prosperuese e Brukselit, por kjo hapësirë është e mbushur me shtëpi të lira dhe në gjendje të dobët, që për dekada ishte bërë shumë tërheqëse për pjesën më të madhe të migrantëve nga Afrika Veriore. Në disa pjesë, kjo lagje është e banuar me popullatë 80% myslimane, papunësia është 30%, ndërsa ndër të rinjtë ajo arrinë edhe në 40%.

Nëse brezat e mëparshëm të migrantëve kishin arritur të gjenin mjaft vende pune fizike në fabrikat e automobilave dhe në minierat e thëngjillit në Belgjikë, lëvizja aktuale e këtij vendi nga ekonomia e bazuar në industri, në ekonomi të bazuar në shërbime, i ka lënë fëmijët e migrantëve të parë me më pak mundësi për punësim.

“Nuk ka fabrika, nuk ka vende pune...pos për ata që e flasin gjuhën frenge dhe holandeze, ose për ata që kanë përgatitje shkollore universitare, dhe 60% e këtyre të rinjëve, me origjinë myslimane nuk ka këso arsimi dhe nuk e flasin gjuhën holandeze”, pati thënë Bilal Benyaich, shtetas i Belgjikës që në mënyrë intensive ka shkruar për radikalizmin, ektremizmin dhe terorizmin, për revistën Foreign Policy, pas sulmeve në Paris, në muajin nëntor.

Sipas tij, problemi i izolimit në Molenbek, po ashtu, ka të bëjë pjesërisht edhe me vendimin e Belgjikës në vitet e 70-ta, për t’i lejuar klerikët salafistë të stërvitur në shtetet e Gjirit Arab, për të mësuar në xhamitë lokale, derisa Brukseli synonte marrëveshje të favorshme të naftës me Arabinë Saudite.

Prova mund të jetë në sulmet në Paris dhe Bruksel, për të cilat përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik.

Raportohet se një organizatë ekstremiste salafiste ka bërë rekrutime në mesin e të rinjëve të radikalizuar myslimanë në Molenbek dhe rajonet e tjera të Belgjikës.

Për nga numri i banorëve, më së shumti luftëtarë të jashtëm në Siri ka nga Belgjika, se sa nga ndonjë shtet tjetër evropian. Sipas instututit Egmont, me seli në Bruksel, më tepër se 300 shtetas të Belgjikës kanë shkuar në Siri dhe Irak.

Bandat kriminale dhe ekstremizmi

Njëri nga mësimet e Molenbekut është se ekstremizmi islamik është veçanërisht tërheqës për individët e margjinalizuar, që janë angazhuar vetëm në aktivitete kriminale.

Prokurori federal i Belgjikës, Frederic Van Leeuw, tha se vëllezërit El Barkaoui “kishin dosje të rëndë kriminale, që nuk ishte e lidhur me terrorizëm”.

Ideologu i dyshuar i sulmve terroriste në Paris, Salah Abdeslam, e udhëhiqte në restorant në Molenbek, i cili ishte mbyllur për dyshime se ishte qendër për shitje të drogës.

Abdeslam duket se ishte fshehur në Molenbek gjithë kohën.

“Abdeslam është mbështetur në rrjetin e madh të miqve dhe farefisit, që kishte ekzistuar për marrje me drogë dhe krime të vogla, dhe ata e kishin fshehur”, tha prokurori, Van Leeuw, dhe ka shtuar se “kjo kishte të bënte me solidaritet të fqinjve, të familjeve”.

Tregu i zi i armatimit

Tjetër faktor që ka mundur të kontroibuoj në ngritjen e rrjeteve terroriste në Molenbek, është qasja e lehtë për armatim.

Ekspertët besojnë se shumica e pushkëve automatike që janë përdorë në sulmet në Paris, nga të cilat janë vrarë 130 vetë, ishin blerë ilegalisht në Belgjikë.

Në këtë aspekt, Leo Neels, drejtor i Institutit Itinera në Bruksel, thotë:

“Gjatë pesë deri në 10 vjetët e fundit, është fakt se Brukseli është bërë i njohur për tregun e madh të zi të armatimit ilegal dhe tregtinë ilegale të armatimit. Për terroristët e gatshëm për të kryer sulm, është lehtë për të gjetur mënyrë”, thotë Leo Neels.

Policia e Belgjikës përpiqet ta shkatërroj tregun ilegal të armatimit, që për burim madhor e ka Ballkanin. Por, në këtë kuadër, policia ballafaqohet me probleme të njejta sikur në përpjekjet për eleminimin e tregut ilegal të drogës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG