Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ndryshimi i politikave financiare, i nevojshëm


Borxhi publik i Maqedonisë vazhdon të rritet dhe sipas të dhënave të qendrës kërkimore të Akademisë së Shkencave, ai arrin në më shumë se 4 miliardë e 200 milionë euro, apo më shumë se 50 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Sipas një orëmatësi të qendrës akademike, në çdo sekondë borxhi rritet me nga tre euro.

Ekspertët thonë se vendi po futet në krizë të thellë financiare andaj edhe kërkojnë rishikimin e politikave ekonomike, apo heqje dorë nga borxhi, pasi në të shumtën e rasteve borxhi merret për të shlyer borxhet e vjetra, apo për harxhime jo produktive që do të kenë pasoja ndaj stabilitetit financiar të vendit si dhe mirëqenies sociale të qytetarëve.

“Këto të dhëna vijnë nga Banka Botërore, e cila i merr nga Ministria e Financave, kështu që të dhënat tona janë të sakta. Në një afat të mesëm, apo më të gjatë duhet të fillojmë me konsolidimin fiskal , që borxhin ta ulim në suaza normale”, thotë Akademiku Taki Fiti, i cili më parë ka qenë edhe ministër i Financave.

Nga ana tjetër, Sllobodan Najdovski, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se qeveria po tregohet e paaftë për të realizuar buxhetin andaj edhe është përqendruar në politikën e borxheve, të cilën, siç thotë, po e realizon me ndihmën edhe të mediave të afërta me pushtetin.

“Është e qartë se ekonomia jonë nuk është sa duhet e fuqishme që të mbush buxhetin për të realizuar obligimet bazë pasi në situatën e tanishme nuk mund të flitet për ndonjë nevojë shtesë. Është e qartë se kjo qeveri me ndihmën e mediave që janë të afërta me të, ka manipuluar me opinionin kur është në pyetje borxhi dhe ekonomia. Mungon transparenca dhe është normale të ketë dyshime për harxhimin e qindra miliona eurove”, thotë Najdovski.

Sipas ekspertëve, pasojat nga një politikë e tillë e borxheve do t’i ndiejnë edhe qytetarët, të cilët veç më po përballen me mungesë të perspektivës duke i detyruar madje edhe të shpërngulen nga vendi.

“Të rinjtë duke mos pasur asnjë lloj perspektive po ikin nga Maqedonia. Kostoja e dytë është ajo e borxheve dhe këtu mund të ndodhë që njerëzit të ngelen edhe pa shtëpi, pa banesa të detyruar të shlyejnë borxhet që faturohen në konton e tyre. Cila do qeveri e ardhshme që do të vjen, ajo duhet të jetë e detyruar në ndryshimin e politikave fiskale, në shkurtimin e harxhimeve publike, flasë për atë qeveri e cila politikat e saj i ka të bazuar në sinqeritet”, thotë Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Ministri i Financave, Zoran Stavreski pranon se ka probleme ekonomike dhe papunësi, por sipas tij krahasuar me të kaluarën gjendja është përmirësuar ndërsa sa i përket borxhit publik, Stavreski thotë se ai është parashikuar me strategjinë e qeverisë në sferën e financave dhe zhvillimit ekonomik.

“Papunësia tek të rinjtë ende është e lartë dhe sillet në rreth 45-46 për qind, por më duhet të them se para nëntë viteve ajo ishte në 60 për qind. Sa i përket borxhit publik mund të them se ai nuk është dyfishuar. Nëse marrim parasysh periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2015 do të shohim se borxhi publik është përafërsisht në nivelin e vitit 2006".

"Nëse merren parasysh të gjitha parametrat do të mund të konstatojmë se borxhi shtetëror sillet në rreth 38 për qind kurse ai publik në rreth 47 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor. Nëse këto të dhëna i krahasojmë me ato të vendeve tjera del se Maqedonia është ne vendin e gjashtë me borxhin më të ulët në Evropë”, thotë Stavreski.

XS
SM
MD
LG