Ndërlidhjet

logo-print

Pesimizëm për kompensimin e dëmeve të luftës nga Serbia


Kompensimi i dëmeve të luftës që Serbia ia shkaktoi Kosovës është proces i ndërlikuar, vlerësojnë ekspertët e të drejtës ndërkombëtare dhe ekonomisë.

Komentet e tyre pasojnë deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, se çështja e kompensimit të dëmeve të luftës, do të diskutohet në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, konsideron se është obligim i Republikës se Kosovës të padis Serbinë për krimet, gjenocidin dhe dëmet që i ka shkaktuar gjatë luftës në Kosovë.

Por, ai ka përshtypjen se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa më tepër është bërë për konsum të brendshëm politik, për shkak të ngjarjeve dhe proceseve më të cilat po përballet vendi.

“Padia që Kosova do të duhej t'i bënte Republikës se Serbisë, nuk do duhej të ishte çështje e hesapeve dhe përllogaritjeve në mes partive politike, por më shumë se kaq ajo është obligim për Kosovën”, ka thënë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi thotë se për çështjen e kompensimit të dëmeve të luftës duhet të angazhohet faktori politik në Kosovë , ndonëse është vonuar në këtë aspekt.

Edhe pse e konsideron si kërkesë të parealizuar, Rexhepi vlerëson se kompensimi i dëmeve të luftës jo që është dashur të jetë në agjendën e deritashme të bisedimeve në Bruksel, por kjo temë është dashur të ngritët edhe në negociatat që janë zhvilluar në Vjenë, para shpalljes se pavarësisë se Kosovës.

“Them se është problem realizimi i saj, pasi asnjëherë në mes asnjë shteti në ish-Jugosllavi apo shteteve të dala pas luftës nga ish-Jugosllavia, nuk ka pasur kompensim të dëmeve, nuk ka pas shpallje të agresorit. Prandaj është një problem bukur i ndërlikuar dhe nuk është vetëm çështja e një deklarate për media”, ka thënë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, profesori Hoti thotë se në ish-Jugosllavi kjo çështje nuk është diskutuar për faktin se shtetet nuk kanë raporte të konsoliduara.

Por, megjithatë ai shprehet se pala kosovare duhet të insistoj që në agjendën e bisedimeve në Bruksel, të jenë prioritet e kërkesa e Kosovës.

“Sido që të jetë, krimet e luftës përfshirë këtu edhe dëmet, anë kategori që nuk i nënshtrohen vjetërsimit dhe herë do kur ato duhet të jenë çështje e trajtimit në mes shteteve që kanë dalë nga ish Jugosllavia".

"Vlen të theksohet se Gjermania e sotme ende paguan dëme dhe repreacione për shtetet si Polonia, Sllovakia etje. Këto dëme janë marrë si obligim kur Gjermania është vetëdijesuar për të dëmet e veta në Luftën e Dytë Botërore . Në këtë drejtim edhe Kosova duhet të sillet ngjashëm,“ ka thënë Hoti.

Në anën tjetër Ibrahim Rexhepi, shpreh shqetësimin se 17 vjet pas përfundimit të luftës, shifra e dëmeve të luftës nuk është dokumentuar në formë zyrtare.

Në vitin 2011, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës që funksiononte në kuadër të Ministrisë se Drejtësisë dhe i cili do të hulumtonte krimet e kryera në periudhën 1990-1999.

Por, ky mekanizëm deri më tash, nuk ka dalë me ndonjë statistikë.

“Edhe pse ka pas tentativa, ende nuk ekziston një dokument i besueshëm i punuar nga ekspertë të çështjeve, që do të tregonte se çfarë dëmesh kanë ndodhur në Kosovë. Ka pasur përpjekje individuale, kisha thënë edhe amatore. Por, unë nuk di a ka të dhëna, dokumente apo fakte të dëshmuara për dëmet që janë shkaktuar”, ka thënë Rexhepi.

Ndryshe, edhe pse të dhënat zyrtare për dëmet e luftës mungojnë, sipas të dhënave të disa ekspertëve të ekonomisë, dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës llogariten të jenë deri në 15 miliardë euro.

Çështja e dëmeve të luftës ishte ngritur edhe në Vjenë, në vitin 2006, por qe mbyllur menjëherë pasi pala serbe një kërkesë të tillë nuk e ka pranuar.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG