Ndërlidhjet

Partitë politike opozitare në Kosovë kanë hequr dorë nga protesta e paralajmëruar për të shtunën. Vendimi është kumtuar nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj.

Përderisa në konferencë nuk ka folur, lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se protesta është shtyrë për një datë të pacaktuar. Mes tjerash ai ka thënë se vendimi është marrë pas konsultimeve mes tri partive në opozitë.

“Duke e ditur që Kosovën po e presin ditë të rënda e të vështira, që kapja e shtetit është thelluar, që problemet që vijnë nga marrëveshjet e gabuara vetëm sa po e rëndojnë Kosovën, pra tash këtu kemi edhe komisionin ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare, ne të vendosur t’i kundërshtojmë këto procese, kemi marrë vendim që protestën e paralajmëruar për të shtunën ta shtyjmë për një datë tjetër”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë, edhe lideri i partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se kauza e opozitës do të vazhdojë, por tash për tash shtyhet protesta e paralajmëruar.

“Ne do të vazhdojmë protestën tonë. Do të vazhdojmë kauzën tonë deri në realizimin e objektivave për të cilat ju (mediat) dhe qytetarët janë të njoftuar që i kemi si opozitë e bashkuar”, ka thënë Limaj.

Ndryshe, protesta kishte si qëllim adresimin e sërishëm të kërkesës për dorëheqjen e qeverisë së Kosovës dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Megjithatë, vet opozita javët e fundit nuk arriti të mbajë një pozicion unik, siç ishte rasti i braktisjes së seancave të Kuvendit nga ana e AAK-së dhe partisë Nisma,përderisa Vetëvendosje nuk kishte marrë një vendim të tillë.

Subjektet politike në opozitë, kanë nisur protestat e tyre në Kuvend dhe jashtë tij që nga 25 gushti i vitit të kaluar, duke kundërshtuar Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë si dhe atë për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas tyre, të dyja marrëveshjet janë të dëmshme për Kosovën.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka dhënë interpretimin e saj mbi kushtetutshmërinë e Marrëveshjes për Asociacionin duke thënë se disa parime të saj nuk janë në harmoni me Kushtetutën.

Përderisa për demarkacionin me Malin e Zi, me vendim të presidentes Atifete Jahjaga është formuar një komision ndërkombëtar i cili në fund do të dal me një konstatim nëse është bërë shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi në mënyrë të drejtë apo jo.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG