Ndërlidhjet

Zgjedhjet e parakohshme prodhojnë tensione, jo zgjidhje


Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Isa Mustafa.
Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Isa Mustafa.

Ngjarjet që së voni kanë ndodhur në skenën politike në Kosovë, përfshirë zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të ri të Kosovës, si dhe mospajtimet e shpërfaqura ndërmjet tri partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, japin indikacione serioze se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, vlerësojnë analistët politikë.

Por, sipas tyre, zgjedhjet e parakohshme eventuale, së paku gjatë këtij viti, nuk do të ofrojnë ndonjë zgjidhje për dalje nga kriza politike në vend.

Politologu Behlul Beqaj thotë për Radion Evropa e Lirë se shkuarja në zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti do të përcillej me shumë tensione, për shkak se, sipas tij, tashmë ekziston mosbesim ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë, por edhe ndërmjet vetë partnerëve të koalicionit.

“Mendoj se me këtë ngarkesë të mosbesimit të thelluar, gjatë fushatës parazgjedhore vetëm se do të ngrihen tensionet dhe eventualisht do të hapen konfliktet, të cilat procesin nuk do ta kryejnë në formën e duhur. Por, edhe nëse kryhet në formën e duhur, pikërisht për shkak të mosbesimit, do të ekzistojë një dyshim shumë i bazuar se zgjedhjet janë manipuluar, janë të parregullta, ka pasur keqpërdorime e kështu me radhë. Por, fjala bie që, edhe nëse përfundojnë zgjedhjet me disa probleme, epilogu i tyre mund të jetë, në rastin më të mirë, pak a shumë i konfiguracionit të njëjtë të raporteve politike ndërmjet partive të pozitës dhe opozitës”, thotë Beqaj.

Ilir Ibrahimi, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se partive politike, në përgjithësi, nuk u konvenon shkuarja në zgjedhje të parakohshme, të paktën jo gjatë këtij viti.

“Nëse partitë opozitare do t’i kërkonin zgjedhjet, atëherë do të duhej të qëndronin të bashkuara, sepse të ndara nuk kanë ndonjë shans kundër partive të mëdha politike. Në anën tjetër, kemi një kryetar të ri, në ardhje, në Partinë Demokratike të Kosovës (Kadri Veseli) dhe nuk besoj që kësaj partie i konvenojnë zgjedhjet, të paktën derisa të konsolidohet zoti Veseli në parti. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tani udhëheq me qeverinë në koalicion me PDK-në, nuk ka ndonjë gjë të madhe për t’i treguar elektoratit, në mënyrë që të kërkojë zgjedhje”, thotë Ibrahimi.

Por, çfarë në qoftë se partitë politike vendosin të shkojnë në zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti?

Politologu Beqaj thotë se edhe nëse epilogu i mundshëm i këtyre zgjedhjeve do të ishte fitorja e opozitës, kjo nuk nënkupton se situata do të qetësohet. Kjo, shtoni ai, për faktin se pushteti i tanishëm, nëse kalon në opozitë, ka mjaft arsye ta imitojë opozitën e sotme në kuptimin e formës dhe mënyrës së shfaqjes së pakënaqësisë karshi pushtetit të ardhshëm.

“Nëse opozita e sotme do të bëhej fituese në zgjedhjet eventuale, nuk eliminohen shkaqet, pra, Asociacioni (i komunave me shumicë serbe) dhe demarkacioni (i kufirit me Malin e Zi), të cilat kanë shërbyer si arsye për të ardhur te zgjedhjet. Asgjë nuk po ndryshon, as çështja e programeve , as çështja e ideologjive, as edhe e aktorëve, të cilët vetëm se do ta kenë një fazë të re, ku do të përpëliten rreth qëllimeve, të cilat kanë qenë”, shprehet Beqaj.

Sipas Ibrahimit, edhe në rast se shkohet sivjet në zgjedhje të parakohshme, nuk do të ketë ndryshim të madh në marrjen e votave nga çdo parti politike. Por, Ibrahimi thotë se mund të ketë ndryshim të koalicioneve.

“Nuk mund të presim që një PDK e fuqishme në qeveri, t’i mundësojë një qeverisje shumë të suksesshme LDK-së. Në vend se të qeverisin, ato do të mundohen ta pengojnë njëra-tjetrën. Prandaj, edhe ky koalicion që nuk është shumë i natyrshëm, nuk besoj se do të jetë shumë jetëgjatë, të paktën jo deri më 2018. Nëse shkohet në zgjedhje, atëherë mund të presim se mund të ketë edhe lojtarë të rinj. Ndoshta, zoti (Behxhet) Pacolli mund ta kalojë pragun. Kjo do ta mundësojë formimin e ndonjë koalicioni tjetër, ndoshta PDK- AAK dhe ndonjë parti tjetër, ose LDK- AAK, varësisht nga rezultati i zgjedhjeve”, thotë Ibrahimi.

Shkuarja në zgjedhje të parakohshme ka qenë kërkesë e tri partive opozitare tash e disa muaj. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ditë më parë, ka theksuar se me qëllim të daljes së vendit nga kriza politike, do të bëjë “një ftesë të veçantë dhe shumë serioze për opozitën”, ku nuk është përjashtuar as mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

XS
SM
MD
LG