Ndërlidhjet

Vazhdon reciprociteti ndaj Serbisë


Ilustrim
Ilustrim

Që nga fillimi i zbatimit të masës së reciprocitetit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Qeverisë së Kosovës, më 22 mars 2016, që Republika e Kosovës nuk njeh më certifikatat e ADR-së për automjetet dhe për shoferët, të lëshuara nga autoritetet serbe për transportuesit e lëndëve të rrezikshme, Dogana e Kosovës u ka refuzuar hyrjen, apo i ka kthyer prapa 5 maune me naftë dhe gaz natyror, të transportuesve të Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhës i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Janë kthyer prapa pesë maune. Nuk kemi në kufi asnjë që është duke pritur. Do të thotë 5 maune janë kthyer parapa gjatë këtyre ditëve. Por, ditëve të fundit nuk kemi parë që ka ardhur ndonjë, sepse e kanë kuptuar lajmin, kështu që nuk ka pasur as tentime për të ardhur”, ka theksuar Stavileci.

Ndryshe, Ministri i Financave i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në faqe e tij në rrjetin social Facebook, ka theksuar se “para se të vendoseshin masat e reciprocitetit me Serbinë, çdo ditë janë zhdoganuar nga 10 deri në 15 maune, taksat që janë paguar për buxhetin e shtetit nga zhdoganimi janë rreth 100,000 euro në ditë".

"Nga data 22 mars, kur janë vënë masat e reciprocitetit me Serbinë nga ministrja Hykmete Bajrami, buxheti i Kosovës ka rreth 500 mijë euro më pak”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, Stavileci ka theksuar se zbatimi i masës së reciprocitetit do të vazhdojë deri në një vendim të ardhshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Qeverisë së Kosovës, që do ta hiqte prej fuqisë vendimin aktual.

“Deri në vendimin e ardhshëm. Normalisht që prej ministrisë (Tregtisë dhe Industrisë) varet dhe jo prej doganës. Ne jemi vetëm zbatues. Ministria, kur ta sheh të arsyeshme ose kur të merren vesh në Bruksel, ne vetëm e zbatojmë atë vendim që e ka kërkuar ministria që të zbatohet”.

Në anën tjetër, në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë, Nebojsha Mikiq, një vozitës kamioni i kompanisë “Saga” nga Pançeva e Serbisë, thotë se kishte arritur në këtë vendkalim ditën e martë, me 24 mars. Ai thotë se, në atë kohë nuk e kishte ditur se është në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës, që refuzon hyrjen e maunave dhe vozitësve që kanë certifikatën ADR.

“Ata më kanë thënë se vendimi i qeverisë së tyre është që të mos lejojnë kamionët serbë që janë nën ADR dhe që bartin derivate të naftës. Unë e kam mallin që nuk është nën ADR, por është derivat i naftës dhe më thanë që të kthehem prapa”, tha Mikiq.

Por, ai shtoi se nuk ka mundur të kthehet më prapa, për shkak se dokumentet e vlefshme i kishte dorëzuar në doganë, në anën e Serbisë. Ai i kishte kaluar dy ditë në zonën e ndërmjetme, në kamion, por, më pas as, aty nuk ka mundur të qëndroj më tej, sepse, sipas tij, nuk kishte më vend.

Mikiq, tashmë është kthyer në kompaninë e tij në Pançevë, ndërkohë që kamionin e tij e ka lënë në Merdarë, deri në një zgjidhje të problemit.

Ndryshe, në Merdarë, në anën serbe të kufirit, tashmë është formuar një kolonë e kamionëve dhe kjo situatë po vazhdon tash e rreth një javë.

Serbia, që nga gushti i vitit 2015, nuk ua njeh certifikatat ADR kompanive nga Kosova që importojnë derivate të naftës nga Serbia, certifikata këto të lëshuara nga institucionet e Kosovës për automjetet dhe vozitësit që bëjnë importimin.

Nenad Gjurgjeviq, këshilltar i kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë dhe koordinator i Forumit për marrëdhënie etnike, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi aktual është pasojë e komunikimit jo të mirë që tash e sa kohë ekziston në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duket se është e nevojshme që në këtë problem të kyçen palët negociuese të nivelit të lartë, gjegjësisht të nivelit të ekipeve të ekspertëve dhe më pas në nivelin politik në Bruksel. Praktikisht, në atë nivel, përsëri, marrëdhëniet ekonomike dhe funksionimi normal i ekonomisë po shfrytëzohet si peng i planeve dhe marrëdhënieve politike dhe kjo, fatkeqësisht po përsëritet”, tha Gjurgjeviq.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ditë më parë ka thënë se Qeveria e Serbisë po punon për zgjidhjen e këtij problemi dhe se janë në kontakte të drejtpërdrejta më Brukselin. Ai ka shfaqur besimin se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.

Por, tashmë, te kompanitë serbe, të cilat ndjehen të goditura nga vendimi i Qeverisë së Kosovës, ekziston bindja se problemi nuk do të zgjidhet së shpejti, për shkak se, siç pretendojnë ata, në Serbi po mbahet fushata parazgjedhore dhe se kjo do ta zvarrisë dialogun në Bruksel.

XS
SM
MD
LG