Ndërlidhjet

Belgjika liron të dyshuarin për sulmet në Bruksel


Bruksel, Belgjikë
Bruksel, Belgjikë

Një njeri i njohur si Faycal C, personi i vetëm i arrestuar dhe i akuzuar për përfshirje në sulmet e Brukselit, është liruar për mungesë provash.

Mediat belge kanë dhënë emrin e tij si Faycal Cheffou dhe kanë thënë se ai dyshohet se është personi i tretë i kapur nga kamerat e sigurisë, përpara sulmeve në aeroportin e Brukselit, më 22 mars. Dy personat e tjerë, të kapur nga kamerat, kanë hedhur veten në erë.

Zyra e prokurorit federal në Belgjikë ka thënë përmes një deklarate se “shenjat që kanë çuar në arrestimin e Faycal C, nuk janë vërtetuar nga hetimi i vazhdueshëm”.

“Si rezultat, personi është liruar nga gjyqtari i rastit”, thuhet në deklaratë.

Faycal C është akuzuar vetëm dy ditë më parë për “pjesëmarrje në një grup terrorist, në vrasje terroriste dhe në përpjekje për vrasje terroriste”.

Nga sulmet në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit dhe në një stacion të metrosë së qytetit kanë humbur jetën 35 persona dhe janë plagosur mbi 300.

Së paku 15 viktima kanë qenë shtetas të huaj nga Shtetet e Bashkuara, Holanda, Suedia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Kina.

Përgjegjësinë për sulmet e ka marrë grupi militant Shteti Islamik (IS).

XS
SM
MD
LG