Ndërlidhjet

logo-print

Përfundon ankthi në aeroplanin egjiptian; dorëzohet rrëmbyesi

  • RFE /RL

Larnaka, Qipro, 29 mars 2016.

Larnaka, Qipro, 29 mars 2016.

Ankthi në aeroportin Larnaka të Qipros ka përfunduar, pasi rrëmbyesi i një avioni egjiptian është dorëzuar tek autoritetet.

I dyshuari, motivi i të cilit mbetet i paqartë, ka dalë nga avioni Airbus 320 me duar në ajër, ka raportuar televizioni shtetëror i Qipros.

Ka marrë fund”, ka shkruar Ministria e Jashtme qipriote në Twitter.

Ky zhvillim ka ndodhur pasi pamjet televizive kanë treguar shtatë persona duke dalë nga aeroplani, përfshirë njërin që ka dalë nga dritarja.

Më herët, ministri i Aviacionit Civil të Egjiptit, Sherif Fathy, ka thënë se negociatat me rrëmbyesin e dyshuar kanë rezultuar me lirimin e të gjithë njerëzve në bord, pos tre pasagjerëve dhe katër anëtarëve të ekuipazhit.

Ministria e Aviacionit Civil të Egjiptit ka thënë se avioni i kompanisë EgyptAir ka qenë duke udhëtuar nga qyteti bregdetar i Egjipitit, Aleksandri, për në kryeqytetin Kajro, kur një pasagjer i ka thënë pilotit se ka eksploziv dhe e ka detyruar atë të ndryshojë drejtimin, për në Larnaka.

Sipas zyrtarëve dhe kompanisë EgyptAir, aeroplani besohet se ka pasur së paku 55 njerëz në bord.

Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, ka thënë se incidenti nuk është i lidhur me terrorizmin.

“Jemi duke bërë çmos për t’i liruar të gjithë dhe për t’i dhënë fund këtij incidenti të paparë. Në çdo rast, nuk ka të bëjë me terrorizëm”, ka thënë Anastasiades.

Ministria e Jashtme e Qipros e ka identifikuar sulmuesin e dyshuar si Seif Eldin Mustafa.

“Duket se është një person i paqëndrueshëm, në një gjendje të paqëndrueshme psikologjike dhe çështja po trajtohet në përputhje me rrethanat”, ka thënë Alexandros Zenon, zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Qipros.

Media shtetërore në Egjipt ka thënë fillimisht se rrëmbyesi është profesor i mjekësisë veterinare në Universitetin e Aleksandrisë.

Raportet kundërthënëse thonë se rrëmbyesi i dyshuar ka kërkuar lirimin e të burgosurve në Egjipt, pastaj ka kërkuar të kontaktojë me ish-gruan e tij, e cila jeton në Qipro, ose ka kërkuar azil në Qipro.

Një zëdhënës i Qeverisë së Egjiptit ka thënë se rrëmbyesi ka dashur të shkojë në Stamboll, por kapiteni i ka thënë se nuk ka karburante të mjaftueshme.

Nuk dihet nëse rrëmbyesi ka pasur eksploziv, ashtu siç ka thënë.

Aeroporti Larnaka, që është pika kryesore e hyrjes për turistët në Qipro, është mbyllur gjatë negociatave me rrëmbyesin dhe fluturimet e planifikuara janë devijuar në perëndim të ishullit.

Rrëmbimi vjen pesë muaj pasi një avion rus ka shpërthyer në ajër, mbi Gadishullin Sinai të Egjiptit, duke shkaktuar vdekjen e të 224 njerëzve në bord.

Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e këtij aeroplani.

Rusia, e cila ka thënë se aeroplani është rrëzuar me një mjet shpërthyes, ka ndaluar të gjitha fluturimet civile në Egjipt, një destinacion popullor për pushuesit rusë, për shkaqe të sigurisë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG