Ndërlidhjet

Franca braktis planet për heqjen e shtetësisë së terroristëve


Presidenti i Francës, Francois Hollande.
Presidenti i Francës, Francois Hollande.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka braktisur planet për ndryshimin e Kushtetutës, sipas të cilave, militantët e dënuar për sulme terroriste do të zhvisheshin nga shtetësia franceze.

“Kompromisi duket se nuk mund të arrihet”, ka thënë Hollande, pasi dy dhomat e Parlamentit francez kanë dështuar të pajtohen për reformat.

Planet për ndryshim të Kushtetutës kanë pasuar sulmet e nëntorit në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta.

Por, ato kanë hasur në kundërshtime të fuqishme dhe kanë bërë që ministrja e Drjtësisë e Francës, Christiane Taubira, të japë dorëheqje në muajin janar.

Taubira ka qenë njëra nga politikanët e paktë me ngjyrë në Francë dhe është përballur shpesh me përqeshje raciste nga ekstremi i djathtë.

Hollande, duke folur sot para mediave në Paris, ka thënë se lufta kundër terrorizmit do të jetë e gjatë.

“Konfirmojmë se kërcënimi mbetet më i madh se kurrë. Terroristët islamikë kanë shpallur luftë ndaj nesh, Francës, Evropës dhe gjithë botës. Vetëm pak ditë më parë, ata kanë sulmuar të krishterët në Pakistan, të dielën e Pashkëve”, ka thënë Hollande.

Nga ky sulm në qytetin Lahore të Pakistanit kanë humbur jetën së paku 72 veta, në mesin e tyre 29 fëmijë.

Përgjegjësinë për të e ka marrë një degë e talibanëve.

XS
SM
MD
LG