Ndërlidhjet

Rreziku i kontrabandimit të substancave radioaktive


Ilustrim

Ilustrim

Arrestimi i shtatë anëtarëve të një grupi të krimit të organizuar në fund të vitit 2014 në Moldavi ishte i parëndësishëm për një pjesë të botës, ku rrjetet e nëntokës funksionojnë të pakontrolluara, përveç lajmit të policisë, i cili thoshte se ata po trafikonin Uranium-238.

Ngjashëm me substancën uranium-235, ky material është radioaktiv. Dallimi në mes dy substancave është se uraniumi-235 është përbërësi kryesor për ndërtimin e një arme bërthamore, një punë që kërkon pajisje teknike speciale dhe të sofistikuara.

Uraniumi-238, që shumë ekspertë bërthamorë e zbatues të ligjit i druhen, mund të jetë përbërësi kryesor përndërtimin e një bombe, e cila mund të shkaktojë disa viktima të menjëhershme, por njëkohësisht të shpërndajë material radioaktiv që shkakton kancer, mbi një zonë të gjerë.

Rreziku se një grup terrorist do të kërkonte një lloj të materialit radiologjik dhe ta përdorte atë për të bërë kërdi, është temë qendrore e diskutimit në Samitin për Siguri Bërthamore, që nisi punimet në Uashington, më 31 mars. Me dhjetëra liderë dhe delegacione nga e gjithë bota do të diskutojnë për mënyrat e mbajtjes së substancave të rrezikshme larg duarve të terroristëve.

Substancat radiologjike fshihen jo vetëm në centralet bërthamore dhe bazat ushtarake, por gjithashtu në spitale, ku përdoren për trajtim të kancerit, pastaj në makineritë e minierave, e po ashtu në detektorët e tymit. Incidentet, si ai në Moldavi, kanë ndodhur pa trazira të mëdha.

Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, kanë ndodhur afërsisht 1,150 incidente që përfshijnë vjedhje, posedim apo humbje të materialeve radiologjike, që janë raportuar nga viti 1993 deri në vitin 2014.

Ja disa raste të incidenteve që përfshijnë vjedhje dhe keqpërdorim të materialeve radioaktive, që kanë ngritur alarmin.

Lidhja Gjeorgjiane

Policia në Gjeorgji, në vitin 2012, arrestoi tre burra në portin e Batumit të Detit të Zi, të cilët po negocionin lidhur me shitjen e ceziumit – një substancë radioaktive që përdoret, ndër të tjera, për hapjen e puseve të naftës. Hetimet treguan se njëri nga shitësit posedonte dy substanca , cezium-137 dhe strontium-90 , por jo mjaftueshëm sa për ta ndërtuar një bombë.

Gjeorgjia është përballur me një numër alarmues të rasteve të kontrabandës bërthamore gjatë dekadës së kaluar. Ajo ka formuar njësinë speciale policore për luftimin dhe hetimin e kësaj dukurie, në vitin 2005.

Ceziumi në Azinë Qendrore

Policia kazake në vitin 2013 arrestoi një inxhinier të një kompanie të minierave dhe tre persona të tjerë, për përfshirje në shitjen e një substance, që përmbante cezium-137. Inxhinieri thuhet se e kishte vjedhur substancën në një depo të kompanisë së minierave në vitin 1991 dhe e kishte ruajtur atë derisa kishte vendosur për t’ia dhënë tre personave të tjerë, për ta shitur. Grupi kishte kërkuar 250 mijë dollarë për shitjen e substancës. Pas zënies, grupi u deklarua se nuk kishte pasur njohuri për rrezikun që shkaktonte ceziumi.

Grupi gjerman

Dy spanjollë dhe një kolumbian që fluturonin nga Moska u arrestuan në vitin 1994 nga autoritetet gjermane, pasi kishim me vete 560 gramë të karburantit oksid, 2/3 e të cilit ishte përmbajtje kryesore për ndërtimin e një një bombe atomike: plutonium-239.

Incidenti më vonë u bë një skandal i madh politik në Gjermani, pasi ligjvënësit zbuluan se arrestimet ishin bërë në kuadër të një operacioni grupor, të udhëhequr nga agjencia gjermane e sigurisë, për të zënë në grackë kontrabanduesit bërthamorë.

Copa vdekjeprurëse

Pasi një laborator kërkimor mjekësor në qytetin qendror brazilian, Goiania, lëvizi në një lokacion të ri, disa pajisje u lanë prapa, përfshirë makinerinë që përdoret për terapinë mjekësore për rrezatim. Pastruesit kishin marrë disa pjesë të pajisjes, në vitin 1987, por zbuluan se disa përbërës të një pjese ndriçonin në errësirë. Duke mos ditur se substanca përmbante cezium-137, ata e ndanë atë me persona të tjerë në lagje. Në fund, katër njerëz ndërruan jetë nga rrezatimi dhe mijëra të tjerë mbetën me pasoja nga helmimi.

Në një raport, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, helmimin në Goiania e cilëson si “incidentin më serioz që ka ndodhur deri më sot”.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG